FBI shmang sulmin terrorist, arreston dy persona
Agjentët e FBI kanë arrestuar një ushtar të Gardës Kombëtare dhe kushuririn e tij për një komplot kundër Shteteve të Bashkuara dhe për bashkëpunim me militantët e Shtetit Islamik.Ushtari Hasan Edmonds, 22 vjeç, është arrestuar në aeroportin e Çikagos ndërsa po përpiqej që të nisej për në Kajro, prej nga do të shkonte në Libi për të luftuar me degën e ISIS atje. Ndërsa kushuriri, Xhonas Edmonds, 29 vjeç, do të përdorte uniformën e tij për të kryer një sulm terrorist në bazën ushtarake amerikane në Illinoi.Në seancën paraprake në gjykatë, prokurorët thanë se Hasan, specialist i Gardës Kombëtare, ra në sy të hetuesve të FBI-së që vitin e kaluar, kur pas një provokimi përmes një mesazhi në Facebook nga një agjent i fshehtë, ai ishte përgjigjur se po përpiqej të bënte gjithçka gati para se të kryente sulmin.Komunikimet me mesazhe në Facebook vazhduan edhe në janar, ku sipas hetuesve, Hasan i ka thënë agjentit të fshehtë se nuk ka shumë përvojë me armët, por mund ta kryejë punën."Me vullnetin e Zotit do ta kryejmë këtë detyrë", citohet të ketë thënë ushtari.Ndërsa kushuriri i tij, Xhonas, është dekonspiruar përmes shkëmbimit të e-maileve me një tjetër agjent të fshehtë, të cilit i ka thënë se dëshironte të dërgonte gruan dhe pesë fëmijët në Mosul të Irakut, që momentalisht është nën kontroll të Shtetit Islamik. Nëse shpallen fajtor, të dy kushurinjtë mund të dënohen deri në 15 vjet burg dhe një gjobë prej 250 000 dollarësh.