Apeli për imamët shqiptarë, sqaroni besimtarët: IS s'përfaqëson Islamin
Sqaroni besimtarët se Shteti Islamik nuk përfaqëson Islamin. Ky ka qenë mesazhi i kreut të shtetit Bujar Nishani dhe ambasadorit amerikan në konferencën "Islami dhe paqja në Botë" që u mbajt në Tiranë.Ndërkaq, kryeministri Edi Rama në një simpozion mbi rolin e bektashinjve lajmëroi ndërtimin në Tiranë të parkut të harmonisë fetare me lulet që përmenden në Kuran e BibëlAmbasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Presidenti i Republikës Bujar Nishani kërkuar drejtuesve të komunitetit muslimanë që në këshillat e tyre fetare para besimtareve t'i mëshojnë distancimit nga aktet e dhunshme të kalifatit të Irakut dhe Sirisë, që po kërcënojnë paqen në botë.Bujar Nishani: Paqja botërore sot kërcënohet seriozisht edhe nga disa individë apo organizata terroriste dhe ekstremiste, të cilët duke shpërdoruar emrin e Zotit dhe fenë, përpiqen të imponohen dhunshëm e në mënyrë barbare ndaj të tjerëve.Veprimtaria çnjerëzore e të ashtuquajturit Kalifat të Irakut dhe Sirisë ka shkaktuar më tepër viktima të fesë myslimane se sa të feve të tjera. Kjo tregon dhe vërteton katërcipërisht se nuk kemi të bëjmë me një përplasje qytetërimesh, por me një luftë të pandershme dhe pa kushte për pushtet dhe mbizotërim, me një skllavëri moderne fizike, politike, shoqërore dhe mendore. Përballja me të sot është një sfidë e vërtetë për të gjithë njerëzimin dhe ka nevojë për angazhimin e të gjithëve për ta luftuar këtë të keqe të përbashkët.Donald Lu: “Unë e përshëndes punën tuaj të palodhur për të bërë që thirrjet tuaja për paqe dhe mirëkuptim të dëgjohen më shumë se ato që nxisin dhunë dhe shkatërrim. Puna dhe përpjekja juaj është shprehja më e mirë e besimit që ju keni.”Deklaratat kanë ardhur në kuadër të një konference të organizuar për herë të parë në Tiranë me temë "Islami dhe paqja në Botë" paraditen e 20 marsit 2015.Ndërkohë gjatë pasdites Komuniteti Bektashian ka organizuar një simmmpoziumin me temë 'Roli i bektashinjve në të cilën ka qenë i pranishëm edhe kryeministri Rama.Kreu i qeverisë përveçse ka vlerësuar besimin bektashian si çelësin e artë të bashkëjetesës fetare ka lajmëruar për ndërtimin e një parku të besimit në kryeqytet, kushtuar bashkëjetesës fetare.Edi Rama: "Mu duk me vend sot dita, për t’ju përcjellë idenë e ndërtimit në Tiranë, së shpejti, të një “Parku të Besimit”. Një hapësirë publike, e gjelbër, e mbjellë me të gjitha bimët, lulet dhe pemët që përmenden në Kuran dhe në Bibël. Në këtë park, kushtuar bashkëjetesë, fëmijët, prindërit, gjyshet dhe gjyshërit e kryeqytetit, apo të qyteteve të tjera shqiptare dhe po ashtu, vizitorët e huaj, do të mund të gjejnë jo vetëm të gjithë krijesat e gjelbra të librave të shenjtë, por edhe imazhe, objekte, tinguj që i bëjnë jehonë kësaj historie dhe pasurie të paçmuar shqiptare, për të cilën, përulësisht, çdo shqiptar, duke filluar nga Shteti shqiptar, nga të gjitha institucionet dhe autoritetet shqiptare, duhet t’i jetë mirënjohës komuniteteve fetare të këtij vendi dhe padyshim, mes tyre, edhe komunitetit të bektashinjve shqiptarë."