Skandali i korrupsionit, Ministri italian paralajmëron dorëheqjen

Ministri italian i Transportit, Mauricio Lupi, ka paralajmëruar dorëheqjen pasi Ministria që ai drejton është përfshirë në një skandal korrupsioni me fondet publike me vlerë 25 miliard euro.Në fillim të javës, policia italiane arrestoi katër vetë pas një hetimi mbi shpërdorimin e fondeve publike dhe kontratat abuzive të punës, në projektin e ndërtimit të një treni me shpejtësi të lartë.Vetë Ministri nuk është nën hetim, por lidhjet mes të ndaluarve dhe tij kanë vënë në pozitë të vështirë kryeministrin Mateo Renci.Në fjalën e tij në parlament të premten në mëngjes, Lupi tha se do të linte detyrën e Ministrit, por jo atë të deputetit."Largohem nga qeveria me kokën lart, duke ju parë të gjithëve në sy. Dhe do të vazhdoj punën time në parlament. E di që e vërteta do të jetë në anën time, por vendimi im për t'u dorëhequr nuk do të thotë që ka fituar paragjykimi, por që drejtësia do të fitojë".Kryeministri Renci ka deklaruar nga Brukseli ku ndodhet për samitin e Bashkimit Europian që sapo të rikthehet në Itali do ta drejtojë vetë përkohësisht Ministrinë e Transportit, për disa ditë.Renci është kritikuar disa herë gjatë vitit të parë në detyrë për faktin që nuk ka treguar dorë të hekurt ndaj korrupsionit në vend, që ndikon në uljen e investimeve dhe zbraz arkat e shtetit.Lupi është pjestar i Partisë Qendra e re Djathtë që ka hyrë në qeveri pas koalicionin me Partinë Demokratike të Rencit. Zëvendësimi i tij i hap probleme Kryeministrit 40-vjeçar që duhet të ruajë balancat në koalicion.