“Unioni Euroaziatik”, Putin propozon monedhë të përbashkët
Presidenti rus, Vladimir Putin, i bëri thirrje Bjellorusisë dhe Kazakistanit, që të bashkoheshin në një monedhë të përbashkët për të përballuar sfidat e rajonit.Gjatë takimit me Presidentët e dy ish-vendeve të Bashkimit Sovjetik, në kryeqytetin kazak, Astana, Putini tha se kjo ishte e vetmja mënyrë për t'ju kundërpërgjigjur problemeve ekonomike."Besojmë se ka ardhur koha që të formojmë një bashkim monetar në të ardhmen. Duke punuar sëbashku e kemi më të lehtë që të reagojmë ndaj kërcënimeve të jashtme dhe ekonomike, dhe të mbrojmë tregun tonë të përbashkët".Presidenti bjellorus, Aleksandër Lukashenko dhe ai kazak, Nursulltan Nazarbajev, lanë të kuptohet se kjo lëvizje do të jetë pozitive për të tre vendet. Megjithatë Nazarbajev tha se ato duhet të sinkronizonin politikat monetare para se të mendonin për monedhën e përbashkët.Nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, Kazakistani është i dyti pas Rusisë për prodhimin e naftës, por sidoqoftë po has vështirësi ekonomike për shkak të rënies drastike të çmimit të arit të zi.Pas zhvlerësimit të rublës ruse me rreth 40% ndaj dollarit amerikan në mesin e vitit të kaluar, Bjellorusia ndërmori nismën e zhvlerësimit të rublës së saj në janar 2015 dhe Kazakistani mund të bëjë të njejtën gjë shumë shpejt.