Teatri Kombëtar, gjatë javës biletat kushtojnë vetëm 150 lekë
Për të parë një shfaqje në Teatrin Kombëtar qoftë edhe premierë çdo i apasionuar i këtij arti duhet të paguajë vetëm 150 lekë të reja gjatë javës.Por a është i mjaftueshëm ky çmim për të vlerësuar realisht mundin dhe djersën e aktorëve pjesëmarrës?Për Drejtorin e Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, kjo është një risi që ai e ka sjelle kur ka marrë drejtimin e institucionit dhe një mundësi për të tërhequr sa më shumë publik.“Jo vetëm ka rezultuar e suksesshme, por ka qenë një habi duke parë që Teatri ka funksionuar në vitete e shkuara vetëm të premten, të shtunën dhe të dielën. Ndërsa e mërkuara dhe e enjtja kanë qenë ditë të vdekura për ta. Sivjet ka rezultuar që salla ka qenë plot e përplot. Njerëz pensionistë, shtresë e mesme dhe poshtë që nuk kanë mundësinë të përballojnë një jetesë normale dhe luksoze e kanë shumë të rëndësishme edhe një biletë teatri me çmim të ulët. Kemi bërë shumë mirë, aq më tepër që kjo është një para që akoma nuk i kthehet Teatrit Kombëtar”.Në media, por edhe të kontaktuar nga Ora News disa nga aktorët e Teatrit Kombëtar jashtë kamerave shprehen se ky çmim zhvlerëson punën e tyre.Por Çuli si përgjigje ka ironinë:“Fjala skandal sot është bërë, nga Berisha tani e përmendin të gjithë. Është një skandal i madh gjithçka. Për çdo gjë që ndodh në Teatrin Kombëtar dalin ca syresh lart e poshtë, është bërë dhe fb tani një vend ku mund të shkarkosh mllefet e tua dhe thonë skandal, skandal. Jo vetëm që nuk ka skandal, por të gjithë këta që e thonë vlejnë më pak se 150 lekë ju siguroj. Të ngrejnë cilësinë artistike njëherë ata të cilët e pretendojnë”.Për të parë një shfaqje në Teatrin Kombëtar gjatë fundjavës bileta kushton 500 lekë të reja, ndërsa të mërkurë e të enjte vetëm 150 lekë të reja.