SHBA, veterani akuzohet se është përpjekur të ndihmojë Shtetin Islamik

Një veteran i Forcave Ajrore amerikane është akuzuar se është përpjekur të ndihmojë militantët e Shtetit Islamik.Prokurorët e Nju Jorkut akuzojnë Tajrod Natan Uebster, 47 vjeç, se është përpjekur të sigurojë pajisje për grupimin terrorist dhe gjithashtu për pengim të hetimeve.Dyshohet se Uebster, i cili ka shërbyer në forcat ajrore amerikane, është përpjekur të bashkohet me grupimin terrorist në muajin janar duke udhëtuar nga Egjipti për në Turqi.Edhe pse aty ka dashur të kalojë kufirin me Sirinë, ai është ndaluar nga autoritetet turke dhe është rikthyer në Egjipt, prej nga edhe është ekstraduar për në Shtetet e Bashkuara.Agjentët e FBI kërkuan në laptopin dhe pajisje të tjera elektronike në pronësi të tij ku gjetën se kishte kërkuar online për zonat e kontrolluara nga ISIS si dhe video propagandistike të grupimit.Prokurorët thanë gjithashtu se në javët para se të nisej për në Egjipt, ai ishte pushuar nga puna si specialist avionësh në një kompani të Lindjes së Mesme dhe kishte jetuar jashtë Amerikës për një vit.Ai qendronte në radarin e autoriteteve amerikane prej disa kohësh, pasi prej vitesh ishte dalluar për mbështetjen e tij ndaj Bin Ladenit dhe luftëtarëve çeçenë.Por pavarësisht profilit të dyshimtë, Uebster kishte punuar në Irak prej vitit 2009 në një kompani private.