Rrezikohet armëpushimi në Ukrainë, debate mbi statusin special

Debati mbi statusin special të zonave të mbajtura nga separatistët në lindje të Ukrainës po kërcënon armëpushimin e brishtë të arritur muajin e kaluar.Rusia ka akuzuar Presidentin ukrainas, Petro Poroshenko, se po vendos kushte te reja të cilat nuk ishin aprovuar në mbledhjen e Minskut.Sipas marrëveshjes, rajoneve të Donjeckut dhe Luhanskut i garantohet një status i veçantë që nënkupton më tepër autonomi, por me sa duket në parlamentin ukrainas nuk janë të gjithë dakord me këtë.Sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme ruse, thuhet se propozimet për statusin special përfshijnë kushte të reja që nuk janë diskutuar kurrë më parë.Edhe lideri i rebelëve në Donjeck, Denis Pushilin gjithashtu dënoi vendimin e Poroshenkos për të shtuar kushte të tjera, por as Moska dhe as separatistët nuk i kanë listuar këto kushte.Në kundërpërgjigje të akuzave, Ukraina tha se rebelët po shkelnin armëpushimin pasi në 24 orët e fundit janë vrarë tre ushtarë të qeverisë së Kievit.Ndërkohë që tensioni vazhdon të jetë i lartë, anijet e NATO-s vazhdojnë stërvitjet ushtarake në Detin e Zi, përballë gadishullit të Krimesë të drejtuar tashmë nga Rusia.Anijet ushtarake amerikane, kanadeze, turke, gjermane, italiane dhe rumune, mbërritën në brigjet e kësaj të fundit dhe Bullgarisë në fillim të marsit, si pjesë e një serie të gjatë stërvitjesh të përbashkëta të mbajtura përgjatë kufirit lindor të NATO-s përballë rrezikut rus.