Luftimet në Irak, shkatërrohet varri i Sadam Huseinit
Varri i ish-Presidentit irakian, Sadam Husein, është shkatërruar përgjatë luftimeve pranë Tikritit, ku forcat qeveritare irakiane të mbështetura nga militantë shiitë po përpiqen të zmbrapsin ekstremistët e Shtetit Islamik.Mazoleumi tetëkëndor i ndërtuar në Avxha, rreth 150 kilometra në veri të Bagdadit duket se është djegur dhe rrënuar plotësisht."Ky është fati i Sadamit. i bëmë atë që na bëri ai neve. Ai i shkaktoi shumë dëme popullit irakian, ndërsa shikojeni tani, nuk ka as varr. U themi të gjithë politikanëve që të mësojnë prej kësaj që ndodhi dhe të kujdesen për Irakun", thotë një prej militantëve shiitë që i janë bashkuar ushtrisë së rregullt të qeverisë.Duke e parandjerë hakmarrjen e shiitëve, besnikët e Sadamit nga fiset sunite, e kishin lëvizur trupin e diktatorit që prej vitit të kaluar në një rezidencë të familjes së tij, duke mos dhënë adresën e saktë.Diktatori irakian u kap nga trupat amerikane në 13 dhjetor 2003 pas tetë muajsh në arrati dhe u dënua me varje tre vjet më vonë pasi u gjykua fajtor për krime kundër njerëzimit për vrasjen e 148 militantëve shiitë pas një përpjekje të dështuar për vrasjen e tij në vitin 1982.