90-vjetori i Medresesë, Nishani e vlerëson për merita të veçanta civile

Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka vlerësuar Medresenë e Tiranës me titullin " Për merita të veçanta civile".Për Kreun e Shtetit ky respekt publik ndaj institucionit që e cilësoi si vatrën e arsimit, duhet të ishte detyrë e hershme e shtetit shqiptar.“Respekti i konsakruar publik që po tregojmë në një ditë të këtillë duhej të ishte një detyrim i hershëm i shtetit tonë ndaj të gjithë veprës së ndritur që kjo shkollë ka lënë në historinë e besimit fetar në Shqipëri”.Presidenti Nishani vlerësoi rolin e Medresesë së Tiranës në ringritjen e vlerës së harmonisë fetare dhe në luftën që klerikët myslimanë bënë për të shpëtuar besimin gjatë regjimit komunist.“Merita më e madhe që ata patën në gjirin e besimtarëve të çdo krahine ishte ringjallja dhe riforcimi i asaj dashurie të mrekullueshme shqiptare që, si më e konsideruara e të gjithë botës, quhet ‘mrekullia e harmonisë fetare. Medresesë së Tiranës pas vitit 1944 nisën që t’i rrallohen nxënësit, por me zemër të pamposhtur ajo rezistoi dhe mundi që ta kalonte stuhinë ateiste”.Ceremonia u mbajt në ambjentet e Presidencës së Republikës së Shqipërisë dhe nderimi për Medresenë e Tiranës erdhi në një kohë kur vetëm para pak ditësh u kremtua 90-vjetori i themelimit të saj.