Netanjahu luan kartën e fundit: Me mua kryeministër s’ka shtet palestinez
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, është zotuar që nëse rifiton zgjedhjet e së martës ai nuk do të lejojë që të krijohet shteti palestinez.Në një intervistë të fundit televizive para ditës së të vërtetës, ku kërkon një mandat të katërt, Netanjahu u përpoq t'i bënte kështu një apel përfundimtar nacionalistëve në vend, duke shmangur problemet socioekonomike."Kushdo që orientohet drejt njohjes së shtetit palestinez, apo tërheqjen ndaj territoreve, thjesht krijon territorin që terroristët islamikë radikalë të sulmojnë Izraelin. Ky është realiteti që është krijuar në vitet e fundit.Ata që nuk e kuptojnë këtë fshehin kokën në rërë. Na duhet një qeveri e fortë nacionaliste që të zmbrapsë presionet për t'u kthyer në kufijtë e vitit 1967 dhe për të ndarë Jeruzalemin".Deklarata e Netanjahut nuk është mirëpritur nga palestinezët, por zyrtarë të Organizatës për Çlirimin e Palestinës e quajtën atë më tepër një deklaratë për të fituar vota se sa një qendrim realist, qendrim ky që ndahet nga pjesa më e madhe e banorëve të Bregut Perëndimor.5.9 milionë shtetas do të votojnë të martën për të zgjedhur qeverinë e re të vendit dhe sipas sondazheve të fundit, partia Likud e Netanjahut do të marrë vetëm 20-22 vende në parlament, duke u renditur si parti e dytë pas Bashkimit Sionist të Izak Hercog, e cila mund të marrë deri në 26 vende.Megjithatë, Netanjahu shpreson në koalicionin me partitë e djathta nacionaliste për të krijuar shumicën në parlamentin 120-vendësh.Sipas sondazheve, si forcë e tretë, për herë të parë pas gjashtë dekadash në hije, mund të renditet një koalicion me katër parti arabe që janë bashkuar nën një aleancë të vetme për të forcuar pozitat e tyre në vend.