PD e kthen të enjten në protestë deri në dorëheqjen e Metës

Tubimi i së enjtes i thirrur nga Partia Demokratike duket se ka nisur “pranverën e protestave”, pasi demokratët kanë vendosur që çdo të enjte ta kthejnë në protestë deri në dorëheqjen e Ilir Metës si kryetar i Kuvendit.Protesta do të mbahen para Kuvendit në Tiranë, po ashtu edhe në qarqe.Vendimi u mor mbrëmjen e sotme në mbledhjen 2 orëshe të aktivit të PD-së, ku ishin të pranishëm grupi parlamentar dhe kryetarët e degëve të rretheve.Qëndrimi i opozitës mbetet i prerë:‘Nuk mund të ketë të ardhme me sundimin e krimit’ .Basha: “Kur numri dy i shtetit, Kryetari i Kuvendit, është nën akuzë se ka porositur vrasjen e dy deputetëve, kur kryeministri bën lolon, skenaron, regjizon, përpjekje për të trysnuar prokurorinë, për të fshehur të vërtetën, pasi është përpjekur për ta mbajtur të fshehtë për 6 muaj, kur ministri i brendshëm është bashkëfajtor në kuptimin penal të fjalës në fshehjen e krimit, sepse në vend të veprimeve ligjore është ulur në rezidenca qeveritare me kriminelë dhe vrasës siç pretendohet nga akuzuesit, për të mbyllur pazaret, këtu në këtë vend asgjë nuk është më normale. Askush nuk mund të presë siguri për veten e tij, për fëmijët e tij, apo të saj. Askush nuk mund të presë reforma, zhvillim, punësim dhe e kam fjalën jo për opozitarët por e kam fjalën për shumicën dërrmuese të shqiptarëve, edhe ata që 1 vit e gjysmë më përpara u besuan me vote, dhe që sot shohin se asnjë premtim nuk po mbahet dhe asnjë premtim nuk do të mbahet por jo vetëm kaq, vendi po ecën në drejtimin e gabuar. Po ecën në drejtimin e gabuar dhe shkaku kryesor është kriminalizimi i shtetit, kriminalizimi i qeverisjes, ngritja e krimit në sistem, kapja nga krimi e krerëve më të lartë të qeverisjes dyshes Rama-Meta”.Sipas Bashës, dy janë objektivat që synojnë të arrijnë demokratët përmes valës së re të protestave.Basha: “Një hetim gjithëprfshirës, i plotë dhe i pavarur, i besueshëm për qytetarët shqiptarët që sot nuk kanë pikë dyshimi se e drejta do të dalë në shesh dhe po e shohin se si Ilir Meta dhe Edi Rama përpiqen ta bëjnë qesharak hetimin duke sjellë humoristë në dyert e prokurorisë që në fakt është presion i hapur ndaj hetimit, është t’i thuash prokurorisë mos heto, është ti thuash prokurorisë siç i thanë para një jave mbylle sa më shpejt çështjen. Forcimi i kapaciteteve hetuese të prokurorisë së shtetit, janë shanset e vetme për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Nëse kërkojmë zbardhje përmes institucioneve dhe ligjit, i vetmi shans që kjo të ndodhë, është me Ilir Metën, jo Kryetar Kuvendi dhe me një prokurori që të lejohet të funksionojë dhe të punojë sipas ligjit. Ky është kushti ynë i parë. Kushti ynë i dytë është, seriozitet në procesin e dekriminalizimit, i cili nuk mund të jetë serioz kur numri dy i shtetit akuzohet për vrasjen e dy deputetëve, dhe vazhdon të ngrohë karrigen e numrit dy të shtetit”Kreu i demokratëve nuk ka përjashtuar as mundësinë për një skenar zgjedhjesh të parakohshme.Basha:“Asgjë nuk përjashtohet. Ne kërkojmë një rrugëdalje. Shqiptarët kërkojnë një rrugëdalje nga kjo situatë. A mund të ecet më kështu? A mund të pretendohet të ecet më kështu përpara? A mund të pretendohet se të zezat që po ndodhin nuk ndodhin? A mund të pretendohet se kemi siguri për shqiptarët, për fëmijët e tyre kur numri i shpërthimeve me eksploziv dyfishohet, kur policët dhe forcat speciale janë krah më krah me krimin dhe jo ballë për ballë me krimin, kur ministrat drekojnë dhe darkojnë me krimin, kur kryeministri fsheh për 6 muaj krimin, kur Kryetari i Kuvendit është nën akuzë për porositjen e vrasjes së dy deputetëve? A mund të pretendojmë se jemi në një situatë normale, kurrsesi. Ndaj jam i bindur që ashtu siç iu përgjigjen thirrjes tonë në protestën madhështore të ditës së djeshme, shqiptarët do ta mbështesin thirrjen që u drejtoj sot në emër të Partisë Demokratike për t’u ngritur në protesta të pandalshme deri në  triumfin e të drejtës, të vërtetës, të ligjit mbi krimin”.