BE: Hetimet ndaj EULEX mbyllen në fund të marsit

Hetimet ndaj Misionit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë që po zhvillohen nga Bashkimi Europian pritet të mbyllen në fund të marsit.Maja Koçijançiç, zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federika Mogerini, konfirmoi se hetimet kanë nisur që prej muajit dhjetor, kur prokurorja e EULEX, Maria Bamieh, akuzoi një prej gjykatësve se kërkonte shuma deri në 300 000 euro për të liruar të dyshuarit."Momentalisht po zhvillohet një hetim, gjithashtu e dini se një ekspert ligjor i pavarur po merret me këtë çështje. Atij i është lënë afat katër muaj për ta kryer këtë detyrë, presim që raporti i tij të jetë gati në fund të këtij muaji".Megjithatë, Koçijançiç, nuk pranoi të komentonte pretendimet e shefit të EULEX-it, Gabriele Meuçi, se akuza më e fundit ndaj këtij misioni për të dënuar kryetarin e Nismës për Kosovën, Fatmir Limajn, është një trillim i mediave.Meuçi mësohet të jetë takuar me drejtuesit e Nismës, të cilëve u ka sqaruar se nuk ka ndërmend të nisë një hetim të brendshëm për këtë çështje, pasi nuk ka pasur asnjë synim për të dënuar Limajn shtatorin e kaluar në mënyrë që koalicioni LDK, AAK, Vetëvendosje dhe Nisma të prishej dhe Hashim Thaçi të qendronte në pushtet.