“Doshi”, Rama: Petrit Cinari me kartelë mjekësore, Prokuroria të hetojë

Petrit Cinari, personazhi që deputeti Tom Doshi nxorri një ditë më parë në skenë, si një tjetër i porositur për të bërë eleminimin fizik të tij është një person me probleme mendore.Një fakt i tillë u deklarua nga deputeti i LSI-së, Luan Rama. Në daljen para mediave nga Kryesia e Kuvendit, ai paraqiti para gazetarëve kartelën mjekësore të Cinarit.Rama i bëri thirrje Prokurorisë të hetojë çështjen bazuar në ligj, për ti dhënë fund asaj që ai e cilësoi parodi qesharake.“Është detyrë parësore e Prokurorisë të hetojë me konsistencë, paanshmëri bazuar vetëm në ligj dhe jashtë ndikimeve dhe presioneve që përpiqen të ushtrojnë mbi organin e akuzës segmente të tilla luçinative dhe për të mbyllur njëherë e mirë këtë parodi dhe për të vënë para drejtësisë cilindo që është implikuar në një marrëzi të tillë.Dua të bëj të qartë dhe një gjë tjetër, ligji shqiptar e dënon penalisht keqpërdorimin apo përdorimin e të sëmurëve në kundërshtim me atë çfarë përcakton protokolli i trajtimit të tyre. Këtu është dhe kartela klinike e vrasësit të radhës.Meqenëse jemi përballë edhe një shkelje të ligjit është e rëndësishme që organi i akuzës ta bëjë edhe këtë element pjesë të hetimit të vet, duke e thelluar hetimin edhe tek manipulimi dhe keqpërdorimi i të sëmurëve”.I pyetur lidhur me protestën e opozitës, Rama paralajmëroi se çdo tentativë për të provokuar dhunë do të marrë përgjigjen e organeve të shtetit.“Të gjithë qytetarët e këtij vendi dhe vetë zoti Paloka, deputetët e tjerë të PD, anëtarët dhe mbështetësit e PD e kanë parasysh faktin që Shqipëria është një vend demokratik, anëtar i NATO-s, me rekorde pozitive dhe në kuadër të procesit të integrimit europian të vendit. Në këtë kontekst çdo aludim, përpjekje për të stimuluar apo krijuar dhunë është jo vetëm e dënueshme, por do të gjejë përballë reagimin e vendosur të organeve të shtetit dhe qytetarëve shqiptarë.Duke patur parasysh edhe faktin se Shqipëria anëtare e NATO-s është bërë edhe për shkak të kontributit të PD, nuk besoj se Doktori do të mund ti kundërvihet vullnetit të qytetarëve për të lejuar në protestën e nesërme apo çdo dite në vijim krijimin e terrenit për dhunë. Në të tilla kushte pastaj do të gjendeshim përballë veprimit me forcë të shtetit për të ndëshkuar ligjërisht cilindo kriminel, keqbërës, shkelës të ligjit apo politikan që shfaqet si i tillë.Nga ana tjetër qytetarët shqiptarë nuk do të mund të pranojnë dhe të lejojnë më askënd të krijojë terren dhunë, teatër dhune, apo skena dhune në këtë vend. Reagimi i Shtetit do të jetë ashtu siç reagon cdo shtet anëtar i NATO-s kur përballë ka shkelësit e ligjit dhe keqbërësit”.