Londër, gërmimet për hekurudhën pritet të zbulojnë 3000 skelete
Projekti më i madh infrastrukturor europian pritet të japë një kontribut mjaft të vyer në zbulimin e rreth 3000 skeleteve të shekullit XVI dhe XVII si dhe shumë artefakte të epokës romake në Britaninë e Madhe.Gërmimet, pjesë e ndërtimit të linjës hekurudhore që do të lidhë lindjen dhe perëndimin e Londrës, pritet të shkojnë deri në 40 metra thellësi, por gjashtë metrat e parë mendohet të jenë të mbushur me dëshmi nga e kaluara, pasi zona ka qenë mjaft e populluar që prej lashtësisë.Arkeologu kryesor, Xhej Karvër, thotë se objektet e rikuperuara mund të përbëjnë numrin më të madh antikuareve të zbuluara ndonjëherë sëbashku në Londër.Vetëm në javën e parë të gërmimeve janë gjetur 300 skelete dhe pritet që kjo shifër të dhjetëfishohet."Po plotësojmë një boshllëk mbi njohuritë tona për popullsinë e Londrës dhe jetën që ata bënin. Çfarë problemesh kishin, sa gjatë jetonin dhe nga se vdisnin.Shumica e varreve janë anonimë, prandaj zbulimi më i jashtëzakonshëm do të ishte sikur të gjenim një arkivol me emër dhe datë të saktë të vdekjes, në mënyrë që të krahasojmë të dhënat historike dhe biografike".Për të plotësuar punër kërkimore, një skuadër vullnetarësh ka nisur të hulumtojë regjistrat lokalë të kishave, ku mendohet të jenë regjistruar personat që kanë vdekur në periudhën në fjalë.Ndërkohë shumë artefakte antike nga koha kur qyteti quhej Londinium janë gjetur deri tani dhe shumë të tjerë pritet të zbulohen, pasi në vendin ku po kryhen gërmimet në epokën romake ekzistonte një rrugë e lashtë që lidhte qytetin me jugun e ishullit të pushtuar në atë kohë nga romakët.