Tsipras: Do të punoj jo vetëm për Europën, por edhe për popullin

Kryeministri grek Alexis Tsipras deklaroi se qeveria e tij do të përmbushë detyrimet e saj, por në të njëjtën kohë do të punojë për të siguruar të gjitha detyrimet edhe ndaj popullit grek. Me  ndërgjegje të rënduar pas zhgënjimit të qytetarëve të tij, Tsipras premton sërish premtimet e pambajtura."Dua t'ju siguroj se qeveria greke do të punojë pa pushim,  përmes dialogut, në kuadrin e një negocimi të nderuar, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për problemet e komplikuara me të cilat po përballet Europa. Qeveria do të punojë që Greqia të plotësojë të gjitha detyrimet e saj, por në të njëjtën kohë do të funksionojë që të realizojë të gjitha premtimet e paplotësuara të popullit grek”,  thaTtsipras në parlamentin grek.Kryeministri grek tha gjithashtu se do të krijojë një komision parlamentar për të hetuar dëmshpërblimet e luftës së dytë botërore nga Gjermania. Ai tha se Gjermania i ka ende borxh Greqisë dhe shpreson dialog nga Berlini, si një detyrim politik, historik, simbolik, por edhe etik . Por lideri  i partisë opozitare socialiste PASOK, Evangelos Venizelos kritikoi taktikat e qeverisë Tsipras me huadhënësit europianë, duke thënë se nëse përdoret e njëjta taktikë edhe për çështjen e dëshmpërblimit të luftës, qeveria greke do të dështojë. Ka një debat të gjatë mes Greqisë dhe Gjermanisë për dëmet e luftës, për të cilat Berlini thotë se i ka shlyer të gjitha, duke përfshirë edhe pagesën prej 115 milionë Marka Gjermane ose  59 milionë euro ndaj Greqisë në vitin 1960.Por Tsipras thotë se marrëveshja e 1960 ka kompensuar vetëm viktimat e tmerreve nazistë, por jo shkatërrimin që i solli Greqisë pushtimi nga viti  1941 deri në 1944, gjatë Luftës së Dytë Botërore.