BE vazhdon të mbajë qëndrim të ashpër ndaj Rusisë

Bashkimi Europian do të vazhdojë të mbajë një qendrim të ashpër ndaj Rusisë në lidhje me konfliktin në Ukrainë, por prioritet do të jetë monitorimi dhe sigurimi i armëpushimit të brishtë të arritur në Minsk.Gjatë samitit të ministrave të Jashtëm të Unionit, shefja për politikën e jashtme dhe çështjet e sigurisë, Federika Mogerini, tha se nuk kishte asnjë arsye tani që të lehtësoheshin sanksionet, pavarësisht se në terren ka përmirësime."Jemi në rrugën e duhur me gjithë përpjekjet që po bëjmë në terren, në Kiev me delegacionin tonë, me mbështetjen që po i japim zbatimit të marrëveshjes. Të gjithë ukrainasit e dinë mjaft mirë gjendjen humanitare në lindje të vendit dhe kemi shumë punë për të bërë, por kryesorja tani është të sigurojmë armëpushimin".Ministri i jashtëm gjerman, Frank-Valter Shtajnmajer, tha se vendi i tij po shqyrton mënyrën se si do të ndihmojë OSBE-në për të monitoruar në terren zbatimin e armëpushimit, ndërsa ministri i jashtëm britanik, Filip Hamond, tha se ndaj Rusisë mund të aprovoheshin sanksione të reja nëse konfirmohen shkeljet e marrëvesjes.Britania dhe Shtetet e Bashkuara mbështesin vendosjen e sanskioneve të reja ndaj Rusisë, ndërsa Bashkimi Europian duket më i tërhequr në këtë drejtim dhe kërkon t'i japë një shans zbatimit të armëpushimit.