“Doshi”, Basha: Rama në krye të skemës së alibive. Presion drejtësisë

Për kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklarata e kryeministrit Edi Rama në derë të Prokurorisë, pasi dëshmoi në lidhje me cështjen "Doshi" ishte një tentativë për të diktuar hetimin mbi ngjarjen që e konsideron skenar aktrimi.Përmes një deklarate zyrtare nën logon e Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se Rama u vendos kështu në krye të skemës së krijimit të alibive dhe ushtrimit të presionit ndaj drejtësisë.“Vetëm një hetim objektiv, bazuar mbi fakte, dhe i painfluencuar nga politika do të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes dhe zbulimin e të vërtetës. Mundësia për një hetim të tillë kompromentohet rëndë sa kohë që i akuzuari për porositjen e vrasjeve mban postin si numër dy i shtetit.”Në këtë situatë, Basha vë Ramën në mes të dy zjarreve kur thotë se:“Kryeministri ka në dorë të ndihmojë drejtësinë duke i kërkuar Ilir Metës, të akuzuar për porositjen e vrasjes së 2 deputetëve, që të japë dorëheqjen. Nëse jo, Edi Rama konfirmon se është kokë e këmbë i implikuar, dhe se ka zgjedhur të bëhet pjesë e mbylljes së cështjes, mbylljes së hesapeve e pazareve, dhe jo zgjidhjes që vjen vetëm nga drejtësia”Ndërsa ish kryeministri Sali Berisha rikonfirmoi edhe një herë qëndrimin e tij se nuk do të dëshmojë në prokurori për cështjen Doshi pa një ftesë zyrtare nga organi i Akuzës.