Vritet kreu i opozitës së Taxhikistanit në Stamboll
Kreu i opozitës së Taxhikistanit, Umarali Kuvvatov është qëlluar për vdekje nga një person i panjohur në një nga rrugët e Stambollit. Lajmi është bërë i ditur sot nga media turke, ndërkohë që vrasja ka ndodhur mbrëmë.Sipas agjensisë së lajmeve Dogan, Kuvvatov u qëllua me një plumb të vetëm në kokë rreth orës 22 e 30 minuta të enjten më 5 mars.Ai jetonte në mërgim në Turqi dhe ishte kreu i lëvizjes opozitare të quajtur Grupi 24.Mediat turke njoftojnë se vrasësi është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes kurse policia e Stambollit ende nuk ka komentuar ngjarjen e rëndë.Policia antiterrozëm e Turqisë ka nisur hetimet për krimin ndaj 47 vjeçarit, i cili përpara se të vritej kishte darkuar në një nga restorantet e zonës.Kuvvatov, një kritik i hapur i liderit veteran të Taxhikistanit, Imomali Rakmon, kishte humbur jetën në momentin kur arriti në spital.Opozitari ka jetuar në Rusi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe para se të vendosej në Turqi kohët e fundit. "Grupi 24" lëvizje e themeluar nga Kuvvatov u shpall "organizatë ekstremiste nga Gjykata e Lartë e Taxhikistanit tetorin e kaluar.Ai ishte në kërkim për një sërë akuzash përfshirë ekstremizmin, krime ekonomike dhe marrje peng. Turqia kishte refuzuar ekstradimin e tij.