Rama-Veliaj përurojnë Qendrën e parë Rinore në Tiranë

Të rinjtë e kryeqytetit tashmë kanë një hapësirë të posaçme ku mund të shprehin talentin dhe krijimtarinë e tyre.Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Mirëqenies Sociale Erjon Veliaj, kanë inauguruar të parën qendër rinore shtetërore, e cila u bë e mundur me mbështetjen financiare të Raiffaisen Bank dhe World Vision. Para të rinjve Ministri Veliaj premtoi se qëndra e dytë së shpejti do të jetë në Korçë.“Ne të majtët besojmë se më shumë hapësira publike duhet t’i kthehen publikut. Ne besojmë se të rinjtë nuk kanë nevojë për kafe dhe për klubin e 1001-të. Më vjen mirë që me vendimin e djeshëm të Qeverisë do të kemi qendrën e dytë rinore në qytetin e Korçës, ku një tjetër klub do kthehet në qendër rinore. Veprat tona janë ashtu siç themi: ne besojmë tek kazinotë që kthehen në zyra pune, në klubet që kthehen në qendra rinore dhe besojmë te energjia e të rinjve tanë”.Për kryeministrin Rama kjo qendër është si një dallëndyshe e parë. Ndërsa nuk harroi të thumbojë krybashkiakun Basha, i cili sipas tij ka kohë që ikur nga bashkia e Tiranës.“Është qendra e parë që do pasohet shumë shpejt nga e dyta në Korçë, pastaj një tjetër në Vlorë, e kështu me radhë, me ambicien që brenda këtij mandati të kemi qendra rinore në të gjitha bashkitë. Organizatorët duken pak të mërzitur se e kanë ftuar kryetarin e Bashkisë dhe ai nuk ka ardhur, por me siguri e kanë çuar ftesën te Bashkia e Tiranës dhe kryetarin nuk e kanë gjetur aty. Kështu që, nuk është se s’ka dashur të vij ai, por nuk i ka mbërritur ftesa, ngaqë ka kohë që ka ikur nga Bashkia e Tiranës”.I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Bashkisë së Tiranës përmes një deklarate.“Rama gënjen, Basha nuk u ftua në përurimin e Qendrës Rinore. Nuk është gjë e re që kryeministri Edi Rama përveçse i paaftë është dhe gënjeshtar. Kryebashkiaku Lulzim Basha nuk është ftuar në përurimin e të ashtuquajturës Qendër Rinore. Është e disata herë që Kryeministri bëhet qesharak me gënjeshtra të tilla të ulëta dhe ordinere”-thuhet ndër të tjera në deklaratën e Bashkisë së Tiranës.