Reshjet e borës e shiut, mblidhet Shtabi i Emergjencave në Kukës
Reshjet e shiut që sipas meterologëve do të jenë prezentë edhe gjatë ditës së nesërme, kanë mobilizuar strukturat përgjegjëse në Kukës dhe Lezhë për të shmangur bllokimin e zonës verilindore dhe përmbytje të mundshme në fushën e Lezhës. Shtabi i Emergjencave Kukës ka paralajmëruar ndëshkime në rast se nuk pastrohen rrugët. Ndërsa në Lezhë, Bordi i Kullimit po monitoron hidrovorët që të jenë në punë.Reshjet e dendura të dëborës që nisën mëngjesin e së enjtes kanë krijuar probleme të vogla në zonat e thella të Kukësit, ku trashësia e borës arrin derinë 50 cm.Ndonëse nuk raportohen probleme me energjinë elektrike, Prefekti i qarkut Safet Gjici ka mbledhur Shtabin e Emergjencave për ti paraprirë ndonjë situate problematike si pasojë e reshjeve intensive.Në autostradën Kalimash-Kukës janë shënuar disa përplasje automjetesh për shkak të prezencës së borës në rrugë.Ndërkohë në Lezhë reshjet e dendura të shiut që vijojnë prej më shumë se 24 orësh kanë vënë në gjendje gadishmërie Bordin e Kullimit.Për të shmangur përmbytjen në zonën fushore, të gjithe hidrovoret në Qarkun e Lezhës po punojnë me kapacitet të plotë, duke përjashtuar këtu vetëm hidrovorin e Balldrenit në të cilën nuk funksionon një pompë, por që nuk përbën rrezik për përmbytje.Drejtori i Bordit të Kullimit në Lezhë, Petrit Gjoni, ka bërë të ditur se nëse nuk do të ketë mungesë të energjisë elektrike në hidrovore, Qarku i Lezhës nuk do të ketë rrezik për përmbytje.Rajoni i Lezhës është përfshirë nga reshjet e dendura të shiut, por nuk kanë shkaktuar asnjë problematikë.Mot i keq me reshje shiu dhe dëbore parashikohet të zgjasë edhe përgjatë 24 orëve të ardhshme.