Dialogu i nivelit të lartë, takimi Shqipëri-BE me 24 mars në Tiranë

Raundi i radhës i Dialogut të Nivelit të Lartë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian do të mbahet në Tiranë me 24 mars në prani të komisionerit Johannes Hahn, me të cilin është takuar sot kreu i Ministrisë së Jashtme Ditmir Bushati, në Bruksel.Gjatë takimit me Komisionerin për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit dhe me eurodeputetin Kukan, Bushati prezantoi ecurinë e reformave dhe të përpjekjeve të qeverisë për të përmbushur në kohë kriteret e parashikuara në udhërrëfyesin për pesë prioritetet kyç.Ai vuri në dukje rëndësinë që ka marrja e një date për hapjen e negociatave sa i përket ecurisë së reformave, motivimint të administratës dhe mbështetjes publike.Bushati: “Ne kemi nevojë që BE-ja të na ndihmojë ta shfrytëzojmë këtë moment në rajon: ekziston një vullnet i madh politik në Ballkanin Perëndimor për të jetësuar projektet rajonale që u konceptuan në Berlin vitin që shkoi. Ne besojmë në mbështetjen dhe drejtimin e Komisionit Evropian për përgatitjen e konferencës së Vjenës në gusht. Së fundmi, në kuadër të mbledhjes së radhës së dialogut të nivelit të nivelit të lartë që do të mbahet në Tiranë, diskutuam për mënyrat e rritjes së efikasitetit të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit, sidomos sa i përket hapave që duhen ndërmarrë për të avancuar drejt çeljes së negociatave për anëtarësim, çka do të konsolidonte edhe më procesin e reformave”.Me Komisionerin Hahn u trajtua edhe bashkëpunimi rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit dhe përgatitjeve për Konferencën e Vjenës, të planifikuar për t’u mbajtur në gusht të këtij viti.Komisioneri Hahn vlerësoi ecurinë e deritanishme në fushën e reformave dhe rolin konstruktiv të Shqipërisë në kuadër të bashkëpunimit rajonal.Ai premtoi mbështetje për Shqipërinë në procesin e integrimit, duke nënvizuar se shpejtësia e këtij procesi varet nga zbatimi dhe qëndrueshmëria e reformave të ndërmarra.Më herët, Ministri i Punëve të Jashtme prezantoi para Komisionit të Parlamentit Evropian për Çështjet e Jashtme (AFET) ecurinë e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore(SEECP) gjatë Kryesisë shqiptare.