Basha përkujton Adem Jasharin, shmang komentet për çështjen Doshi
Kryetari i Bashkisë Tiranë ka përkujtuar sot me homazhe pranë bustit, epopenë e lavdishme të Jasharajve. Kryebashkiaku i Tiranës me përfaqësues të Ambasadës së Kosovës, veteranë të UÇK kanë vendosur sot kurora me lule dhe janë përulur me nderim dhe respekt përpara shtatores së Komandantit legjendar.Tiranë- Në shenjë nderimi për Komandantin legjendar, Adem Jashari, dhe familjes së tij të cilët në 5 Mars 1998 humbën jetën pas një qëndresë me trupat serbe, gjatë së enjtes ka qënë Bashkia e Tiranës e cila ka zhvilluar homazhe, duke vendosur lule pranë bustit të tij.Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherësh kryetar i PD, Lulzim Basha, në fjalën e tij theksoi se në këtë ditë përkujtohet vepra e Jasharajve, por edhe e të gjithë atyre të cilët luftuan për një Kosovë të lirë e të pavarur.“Në këtë 5 mars rikujtojmë epopenë e Jasharëve, të udhëhequr nga komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. E përjetshme, është zulma dhe lavdia e Adem Jasharit, Hamëz Jasharit, familjes Jasharit. Nderim përjetë komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nderim përjetë Jasharëve, nderim përjetë bijve dhe bijave të Kosovës, bijve dhe bijave të kombit shqiptar që kanë dhënë jetën dhe vunë gjakun e tyre në altarin e lirisë kombëtare në themelet e lirisë së Kosovës së lirë e të pavarur! Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti e bekoftë Shqipërinë, Zoti i bekoftë shqiptarët!”Por me gjithë insistimin e mediave, kryetari Basha shmangu çdo koment që lidhet me çëshjen e deputetit Tom Doshi.“ Nuk është as vendi dhe as momenti, faleminderit”.Ndërkohë edhe Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës organizuan ekspozitën “ Qëndresa heroike e Jasharëve për liri”.Një ekspozitë e cila ka tematikë dokumentare dhe paraqet fakte konkrete mbi rrjedhën e luftës së UÇK-së, përkatësisht të heroizmit të familjes Jashari dhe flijimin me vetëdije të lartë kombëtare të shqiptarëve për çlirim dhe bashkim kombëtar.