Epopeja e familjes Jashari, nipi e quan turp mungesën e Himnit Kombëtar
Në Prishtinë, Prekaz, dhe Tiranë, është përkujtuar sot 17 vjetori i nisjes së asaj që quhet epopeja e familjes Jashari, ose beteja triditore e familjes së Heroit Kombëtar me trupat e ushtrisë serbe në vitin 1998.Përpos homazheve dhe fjalimeve të rastit, nipi i Adem Jasharit, Bekimi, ka kritikuar liderët e Kosovës për mungesën e Himnit Kombëtar në ceremoni.Bekim Jashari: "Sot për fat të keq si asnjëherë më parë, si asnjëherë që nga përfundimi i luftës nuk jam ndier më i turpëruar. As nuk po ndjehem mirë që ndodhem në mesin tuaj. Për herë të parë pas luftës në një Epope nukpo intonohet himni kombëtar. Turp".Ndërsa kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, përveç se vlerësoi sakrificën e bërë nga familja e Jasharajve, premtoi se shumë shpejt do të vijë edhe shndërrimi total i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në një ushtri moderne europiane, pjesë e aleancës së Atlantikut Verior.Mustafa: "Sot përulemi me nderim para kujtimit të të gjithë bashkëfamiljarëve të tij, të cilët u flijuan për lirinë e atdheut. Por, flaka që u ndez në vatrën e Jasharëve u shndërrua në një flakadan lirie, e cila bashkoi shqiptaret kudo që ishin. Transformimi i UÇK-së në TMK dhe i kësaj të fundit në FSK është vetëm një nga rrëfimet e shumta të suksesit të Kosovës së lirë, sovrane e demokratike.Kuptohet, procesi i avancimit të FSK-së do të vazhdojë më tutje me themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, të cilat do të jenë forca moderne ushtarake, e pajisur me të gjitha cilësitë e nevojshme të një ushtrie të aftë për të siguruar stabilitet e paqe dhe për të marrë pjesë në misione humanitare e paqësore me synim që të ketë vendin e vet në NATO".Ndërkohë që kryeministri Mustafa e përkujtoi në Prishtinë ditën e shënuar të sakrificës së familjes Jashari, në të cilën humbën jetën 20 vetë, prej tyre 10 fëmijë, presidentja Jahjaga dhe disa pjestarë të opozitës bënë homazhet e tyre në Prekaz, ku edhe gjendet varrezat e komandantit legjendar.Lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, tha se Kosova duhet të vazhdojë të kujtojë dëshmorët e saj duke vijuar punën e tyre, bashkimi kombëtar.