ISIS kërcënon bosin e Twitter, nisin hetimet
Twitter dhe autoritetet e sigurisë në Shtetet e Bashkuara kanë nisur hetimet për kërcënimet që mendohet të jenë bërë nga militantët e Shtetit Islamik ndaj bashkëthemeluesit të kompanisë dhe disa punonjësve të tjerë.Gjatë ditëve të fundit, në disa postime në rrjetin social, është bërë thirrje që ndaj stafit të kryhen sulme vdekjeprurëse.Sipas rrjetit televiziv NBC, në shënjestër të ekstremistëve është vënë bashkëthemeluesi Xhek Dorsei, emri i të cilit është listuar në një faqe internet që dyshohet se administrohet nga terroristët, në të cilën shkruhej: "Lufta juaj virtuale do t'ju përfshijë në një luftë të vërtetë".Militantët e Shtetit Islamik janë mbështetur fuqishëm tek Twitter dhe rrjete të tjera sociale për të shpërndarë idetë e tyre dhe për të publikuar video makabre ku pengjeve u priten kokat, duke përfituar nga fakti se ai është një prej rrjeteve më popullor në botë, me 288 milion përdorues.Por duket se ka qenë çensura që u është bërë llogarive të terroristëve që i ka shtyrë të kërcënojnë drejtuesit e kompanisë amerikane.