Gramsh, mbyllja e fabrikave ka rritur papunësinë

Elbasani renditet qarku i tretë në Shqipëri per nivel papunësie.Në Gramsh, mbyllja e uzinës së armëve, apo fabrikës së konservimit dhe asaj të prodhimeve artizanale pas viteve '90, ka sjellë rritje të shifrave të të papunëve, në një kohë që Gramshi sot si rreth numëron rreth 16 mijë banorë, dhe të punësuar zyrtarisht janë vetëm 900 persona, ndërsa pjesa dërrmuese jetojnë me të ardhura prej familjarëve që kanë në emigrim.Banor 1: "Jemi të moshuar tashmë në këtë qytet, por ky qytet tani ka një papunësi të madhe, sepse nuk është puna vetëm te investimet, por mbyllja e dy uzinave që ishin prioritare për të mbajtur këtë popull në punë, dhe përderisa u mbyllën ato, populli pas 90'-ës ka mbetur pa punë".Banor 2 : "Presim për ndonjë vend pune, meqë u hapën hidrocentralet, do bëhen rrugët".Për kryebashkiakun Dritan Bici, pavarësisht investimeve, varfëria vazhdon të sfidojë gramshin, ku së fundmi janë hequr nga skema ekonomike edhe 250 familje në nevojë, pasi nuk plotësuan kreditet gjatë aplikimit online.Dritan Bici : "Ka shumë të varfër në qytetin e Gramshit, ka të pastrehë sidomos nga komuniteti egjiptian, ka papunësi të madhe. Këto investimet e mëdha kanë ndikuar në punësimin e njerëzve por nuk e kanë goditur varfërinë. Largimin nga skema e ndihmës ekonomike të rreth 250 familjeve është goditje e madhe për njerëzit në nevojë në këtë qytet. Duhet ndrequr ky problem sepse nuk është i drejtë"Vetëm dy javë më parë nisën punimet për ndërtimin e rrugës Banjë-Gramsh, ku sipas ministrit të transportit Haxhinasto, pritet të jetë një burim punësimi për të paktën 600 banorë të zonës. Ndërkohë 147 persona janë punësuar në hidrocentralin e Banjës.