Rreziku nga Shteti Islamik, Rama: BE të marrë në mbrojtje Ballkanin

Libri "Kurban" i shkruar nga Edi Rama kur ishte kryeopozitar, është përkthyer edhe në gjuhën rumune.Libri u promovua në një ceremoni të posaçme në Bukuresht, në praninë e vetë Kryeministrit shqiptar dhe homologut të tij rumun, Viktor Ponta.Shefi i qeverisë ndau me audiencën edhe pikëpamet e tij për BE, që sipas tij duhet ti dalë në mbrojtje Ballkanit në luftën kundër Shtetit Islamik."Sfida jonë ka qenë dhe mbetet që ta jetojmë këtë realitet jo si një problem, por si një mundësi për të bashkëjetuar me të tjerët, pa i ndjerë kufijtë si pengesë. Prandaj, unë jam shumë i shqetësuar dhe ne jemi shumë të shqetësuar nga ajo që po ndodh në zonat ku është shfaqur i ashtuquajturi Shteti Islamik, që përfaqëson një përshkallëzim ekstrem të radikalizmit islam. Ne mendojmë që ai përshkallëzim është një arsye shumë e fortë për Europën dhe për Bashkimin Europian që këtë diversitet fetar që është në Ballkan ta marri në mbrojtje sa më shpejt, duke e përshpejtuar procesin e integrimit, duke mos bërë politika që janë taktike dhe nuk kanë asgjë strategjike në raport me vendet e Ballkanit. Sepse, nëse, largqoftë, ekstremizmi islam do të gjente rrugë për t'u kthyer në një nacionalizëm fetar në formën e një lëvizjeje brenda Ballkanit, do të ishte fundi i kësaj që kemi sot. Islami radikal e gjen më të lehtë që të penetrojë në territorin psikologjik të frustracionit nga hezitimi i BE për të vepruar me shpejtësi dhe për të na tërhequr më shpejt brenda. Radikalizmi islam vepron pikërisht në këtë territor, duke përçuar idenë se Europa nuk është rruga jonë, pasi Europa është një klub kristian dhe për këtë arsye Europa është hezituese ndaj nesh", tha Rama.Kryeministri, Edi Rama, u nderua me titullin Doctor Honoris Causa nga Akademia e Arteve të Bukureshtit.Duke iu adresuar sërish Europës së bashkuar, ai tha se sfidë me vete mbvetet edhe euroskepitzimi në rritje brenda Unionit."Si Kryeministër udhëtoj shumë. Kam vizituar shumë vende europiane. Dhe ndonjëherë është e çuditshme të vizitosh fuqitë e mëdha europiane, p.sh. Francën dhe Anglinë dhe të dëgjosh kaq shumë ankesa për Europën, deri aty sa njerëzit duan ta braktisin Bashkimin Europian. Ndonjëherë më kujtojnë se është më e lehtë të shohësh se çfarë ndodh brenda një vendi, nëse rri mbrapa dhe mundohesh të shikosh nga jashtë. Kur vizitoj këto dhe vende të tjera ku po rritet euroskepticizmi si pasojë e emigracionit, e shqetësimit për standardet e jetesës, ose për shkak të një ndjesie të të qenit i pafuqishëm përballë presionit të globalizimit, unë them ndaloni dhe shikoni jo vetëm atë që duket, por shikoni se nga vini. Dhe shikoni sesa larg keni mbërritur. Europa, një kontinent që më shumë se kushdo tjetër mban plagët e luftës, një kontinent ku vendet u bashkuan pas Luftës së Dytë Botërore, ka parë begati dhe paqe. Ndaj mos e rrezikoni atë. Është një shprehje që thotë se nëse do të shohësh sa i mirë është një vend, shiko sesa njerëz do të ketë brenda vetes. Në këtë masë, Europa duhet të kuptojë sesa e suksesshme është".Shefi i Qeverisë këmbënguli se BE është kryeprioritet i Shqipërisë, pasi anëtarësimi në Union, sipas tij nuk është humbje e identitetit.“Jo vetëm për të ardhmen e vendit, por edhe si bashkim forcash për të mirën e përbashkët në hapësirën evropiane, ku askush nuk humbet identitetin e tij.Vazhdojme te udhehiqemi nga qellimi per t'iu bashkuar nje organizate ne te cilen jemi te gjithe me te forte dhe me te fuqishem si rezultat i nxjerrjes se forces sone per te miren e perbashket. Asnjeri prej nesh nuk e humbet identitetin duke bere keshtu. Une nuk do jem me pak shqiptar ose ju me pak rumune ".