Vritet në qendër të Moskës udhëheqësi opozitar rus, Boris Nemtsov
Një prej figurave kryesore të opozitës ruse, ish-zëvendës Kryeministri Boris Nemtsov, është vrarë mbrëmë në dyert e Kremlinit.Sipas policisë, vrasësi, ende i paidentifikuar, qëlloi katër herë pas shpine Nemtsovin, nga një makinë e bardhë.Ndërsa mediat ruse cituan disa dëshmitarë të thonin se ishin disa persona që dolën nga makina dhe qëlluan.Ekzekutimi i tij ndodhi pak orë pasi kishte bërë thirrje që të dielën të mbahej në Moskë një tubim kundër luftës në Ukrainë.Sipas BBC, në një intervistë të kohëve të fundit, vetë Nemtsov kishte pranuar se kishte frikë që Putini mund ta vriste pikërisht për kundërshtimin e luftës në Ukrainë.Qindra njerëz u mblodhën në orët e para të së shtunës në vendin ku ndodhi vrasje për të vendosur tufa me lule.Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka dënuar ngjarjen e shëmtuar dhe sipas zëdhënësit të tij ka marrë vetë në kontroll hetimet për ngjarjen.Edhe Presidenti amerikan, Barak Obama, i ka bërë thirrje qeverisë ruse që të kryejë një hetim të paanshëm dhe të shpejtë të ngjarjes që e ka quajtur një ekzekutim brutal.Ndërsa Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, vajtoi për humbjen e njeriut që quajti si "urëlidhësin mes Ukrainës dhe Rusisë".Lideri tjetër opozitar, Ilja Jashin, bëri përgjegjës drejtpërdrejt Putinin për vrasjen e Nemtsovit."Boris ishte kritik i jashtëzakonshëm i autoriteteve ruse. Ai kritikonte zurtarët e lartë, përfaqësuesit e agjencive të sigurisë, oligarkët.Sigurisht që përbënte kërcënim për shumë njerëz të korruptuar. Sidoqoftë, Putin mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë, pasi ka ndihmuar në krijimin e kësaj klime urrejtje në vitet e fundit".Nemtsov, 55 vjeç, ishte një prej reformatorëve kryesorë të ekonomisë ruse në fillim të viteve '90, ku edhe punoi si zëvendës.Kryeministër nën Presidencën e Boris Jeltsinit.Ai ishte kritik i ashpër i regjimit të Putinit dhe i kishte bërë thirrje opozitës ruse të bashkohej për ta rrëzuar nga pushteti.Ky është ekzekutimi i shtatë i kundërshtarëve të Putinit që prej vitit 2003, pjesa më e madhe e tyre vrarë në Moskë.