Kosovë, imami i Gjilanit dhe 2 të rinj në pranga për terrorizëm
Hoxhë Hajrullah Aliu, imam në xhaminë e fshatit Verbicë të Gjilanit, sot nuk ishte për të falë namazin e xhumasë.Ai u zëvendësua nga një hoxhë tjetër sepse imam Aliu u arrestua nga njësiti kundër terrorizmit i Policisë së Kosovës.Bashkë me imamin, RTK ka mësuar se janë arrestuar edhe Dardan Keqeli 23 vjeç e Kastriot Halimi 22 vjeç.Policia thotë se të gjithë janë të dyshuar për vepra penale që lidhen me terrorizmin.Dyshohet se të njëjtit kanë kryer veprën penale, lehtësimin e rekrutimin e personave për luftën në Siri.Këto arrestime janë kryer një javë pasi 17 vjeçari Lirim Robelli nga i njëjti fshat, u arrestua teksa po tentonte të shkonte drejt Sirisë për të luftuar krah xhihadistëve.Azemine Robelli, nëna e adoleshentit të arrestuar, deklaron se djali i saj nuk kishte marrë para e nuk ishte ndihmuar që të marrë këtë rrugë. Për krejt çfarë i ka ndodhur të birit, ajo hedh dyshime mbi hoxhën Hajrullah Aliu, tashmë të arrestuar.Takimin e 17-vjeçarit me imamin e fshatit para se i riu të nisej për Siri, e konfirmon edhe kryetari i fshatit.“Ditën kritike kur Lirimi është largu nga fshati dhe e ka marrë atë rrugë, paraprakisht është taku në xhami me imamin”, ka theksuar Shefik Surdulli - kryetar i fshatit Verbicë.Ndërkohë, në Këshillin Bashkësisë Islame në Gjilan deklarojnë se nuk bëhen organizime terroriste në xhamitë e tyre, por nuk garantojnë asgjë për veprimet e imamëve.Gjilani është njëri nga rajonet në të cilin janë kryer më së shumti arrestime për dyshime të tilla.