Arrihet marrëvesha Greqi-BE, programi i shpëtimit shtyhet për 4 muaj

Greqia dhe vendet e Eurozonës kanë rënë dakord për të shtyrë me katër muaj programin e shpëtimit pas disa orësh bisedimesh në Bruksel, në takimin e tretë brenda dhjetë ditëve.Megjithatë ka mbetur ende e paqartë nëse masat shtrënguese që duhet të ndërmarrë qeveria helene kanë mbetur në fuqi apo jo.Në deklaratën e lëshuar nga Bashkimi Europian, thuhet se Greqia duhet t'i përmbahet programit fiskal që lejon shlyerjen në kohë të borxhit.Edhe pse fillimisht u raportua ndryshe, duket se Greqia do të vazhdojë të paktën për katër muajt e ardhshëm me programin e pandryshuar, çka mund ta vërë në vështirësi të madhe me votuesit në "shtëpi" të cilëve u kishte premtuar zhdukjen e Trojkës dhe masave shtrënguese.Sidoqoftë, vendi do të ketë një periudhë të konsiderueshme kohe për të rinegociuar një marrëveshje afat-gjatë me kreditorët e saj.Në përfundim të takimit, shefi i Eurogrupit, Jerun Dajselblum, tha se Athina ishte zotuar të shlyente të gjitha borxhet e saj në kohë."Mendoj se sonte hodhëm hapin e parë në procesin e rikthimit të besimit. Siç e dini, besimi është më lehtë të humbet se sa fitohet prandaj ishte ky i sotmi ishte një hap shumë i rëndësishëm".Më pak entuziast u shfaq në konferencë për shtyp, Ministri grek i Financave, Janis Varufakis, i cili tha se të gjithë duhet të respektonin vullnetin e zgjedhësve."Këto takime ishin të nevojshme për të ndryshuar faqe, në Greqi dhe Europë. Ky nuk është çast festimesh, kjo marrëveshje është vetëm një hap i vogël në drejtimin e duhur".Të hënën Greqia do të paraqesë listën e parë të reformave të propozuara prej saj para Trojkës, për të mundësuar vazhdimin e negociatave.Lajmi për arritjen e kompromisit ka forcuar menjëherë monedhën euro kundrejt dollarit amerikan me 0.3 pikë, ndërsa pozitivisht kanë reaguar edhe tregjet europiane dhe përtej Atlantikut.