Emigrantët, Europa i del në krah Italisë

Brukseli ka vendosur që të shtojë mbështetjen ndaj Italisë përballë numrit gjithnjë e në rritje të emigrantëve që mbërrijnë në brigjet e Siçilisë kryesisht nga Libia.Komisioneri i Bashkimit Europian për Emigracionin, Dimitris Avramopulos, theksoi se Roma nuk do të jetë vetëm në këtë përpjekje."Nuk ka zgjidhje të lehtë për këtë problem", tha Avramopulos, "por është e qartë që ky nuk është problem italian, por një problem europian".Edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Federika Mogerini, përshëndeti vendimin dhe sqaroi që për sa kohë të ketë konflikte në zona pranë birgjeve europiane, atëherë do të ketë një përpjekje të të gjithë vendeve për të ruajtur kufirin e përbashkët europian, për të ndalur rrjetin e trafikantëve që kanë përfituar nga kaosi në Libi dhe Lindjen e Mesme për të trafikuar refugjatë brenda Bashkimit Europian, shpesh edhe përmes Shqipërisë.Situata në brigjet e Lampeduzas është vërtet kritike, pasi vetëm të enjten mbi 600 emigrantë kanë mbërritur në Siçili, duke mbingarkuar punën për personelin e portit që duhet të kujdeset për ta para se t'i nisë për në qendrat shëndetësore.Siç raportoi pak ditë më parë edhe shefi i Agjencisë së Bashkimit Europian për Administrimin e Kufijve, Fabris Lexheri, ky vit pritet të ketë një numër rekord emingrantësh, ndërsa rritet frika se në mesin e tyre mund të fshihen edhe terroristë që pëfitojnë nga kaosi për të mbërritur në vendet e BE-së.