Investigimi i ‘Channel One’. Vokshi në Kuvend: Beqaj fsheh skandalin e mbetjeve spitalore

Skandali i mbetjeve të rrezikshme spitalore u denoncua edhe në Parlament. Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi në referencë të investigimit të gazetarëve të Departamentit të Informacionit në Channel One, kërkoi nga Ministri i Shëndetësisë të bëjë publik proçedurat e administrimit të mbetjeve spitalore.Albana Vokshi: “Por politikat shëndetliga të rilindasve po infektojnë jetën e gjithsecilit prej nesh. Shëndetësia është mbërthyer keqas nga tenderat korruptivë dhe skandalet kanë nisur të dalin në oborret e pushtetit e deri në lumenj që derdhen në ujëra bregdetare. Mbetjet e rrezikshme spitalore të dy qendrave univeristare “Nënë Tereza” dhe Spitali i Traumës, hidhen në zona të banuara dhe në lumenj që derdhen në Adriatik.Faktet tronditëse u publikuan nga gazetarët kurajozë të televizionit “Channel One”, pas një hulumtimi disamujor. Investigimi tregoi se si spitale shtetërore dhe private abuzonin dhe me kontratat, që lidhin me kompani të liçensuara për trajtimin dhe asgjësimin e mbetjeve anatomike dhe patologjike.Procesi nuk kryhej, ndërsa kontratat milionëshe ndaheshin nga administratorët e qëndrave spitalore. QSUT dhe Spitali Universitar i Traumës pretendojnë se kanë hidroklava për trajtimin e mbetjeve patologjike, por impiantet nuk janë vënë në punë, pasi administratorët duhet të kontraktonin kompani private, duke bërë pazare të hapura për të dhënë tenderat.Shqipëria prodhon në një vit mbi 2 mijë ton mbetje të rrezikshme spitalore dhe për asgjesimin e kësaj sasie mbetjesh, duhet të qarkullojnë mbi 8 milionë dollarë amerikanë. Skandali thellohet ndërsa Ministria e Shëndetësisë përdor censurën dhe truproje me muskuj për të penguar gazetarët për të hetuar rreth këtij abuzimi, që duket se ka prekur nivelet më të larta.Prokuroria njoftoi nisjen e hetimit të thelluar për skandalin e mbetejeve spitalore dhe shoqëria civile ka protestuar në Tiranë. Ndërsa Ministri i Shëndetësisë lobon korridoreve të qëverisë për të miratuar vendime për çmimet e ilaçeve me mendjen te klientët e tij”.