Gjermania: Shansi i fundit për Greqinë

Gjermania paralajmëron Greqinë që nëse nuk arrihet një marrëveshje as sot në takimin e Eurogrupit, atëherë ky është fundi për Greqinë. Ministri grek i Financave, Janis Varufakis, do të takohet sot me homologët e Bashkimit Europian, për t'i kërkuar atë që pothuajse asnjëri prej tyre nuk dëshiron t'i japë: një marrëveshje të re për borxhin pa përfshirë masat shtrënguese.Por Ministri gjerman i Financave, Volfgang Shojble, e bëri të qartë që nëse grekët donin një marrëveshje të re të përkohshme, do të duhet të pranojnë edhe një program të ri të mbikqyrur ndërkombëtarisht.Volfgang Shojble: "Ministri grek i financave do të na prezantojë për herë të parë idetë e qeverisë greke para Eurogrupit. Do ta dëgjojmë dhe do të diskutojmë për hapat e mëtejshëm. Nëse Greqia nuk e pranon marrëveshjen e re, nuk ka asnjë problem, por ky është shansi i fundit".Edhe presidenti i Bundesbankut, Jens Vaidman, një anëtar me shumë peshë në bordin e guvernatorëve të Bankës Qëndrore Europiane, tha se “Greqia duhet të bënte një përpjekje të besueshme për t'u ringritur në këmbë”.Edhe pse Aleksis Tsipras dhe krahu i tij i djathtë, Janis Varufakis, kanë deklaruar se nuk duan një përplasje me Bashkimin Europian, pasi mori lehtësisht votëbesimin në parlament mbrëmjen e të martës, kryeministri grek u zotua edhe një herë se nuk do të lejonte vendin të kthehej në kohën e masave shtrënguese dhe planeve të shpëtimit ekonomik.Aleksis Tsipras: "Nuk ka rëndësi se sa shumë duan zoti Samaras dhe zoti Shojble, ne nuk do të kërkojmë një shtyrje të programit të shpëtimit. Nuk do t'i pranojmë njoftimet e trojkës, e cila, më lejoni ta them, ka marrë fund që prej 25 janarit. Ne duam vetëm të gjejmë një zgjidhje për Europën".Varufakis pritet të propozojë sot një periudhë tranzicioni prej gjashtë muajsh, në mënyrë që në shtator të ketë një plan të qartë për shlyerjen e borxhit prej 240 miliardë eurosh dhënë Greqisë në vitin 2012 nga Bashkimi Europian, Banka Qëndrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.