I mori uji 140 dele e qengja, bariu kërkon ushqim për të shpëtuar tufën e mbetur

Për Ylli Koromanin, bari nga Skrapari, por që dimëron çdo vit në Pojan të Fierit, përmbytjet kishin jo pak kosto, si nga ana financiare dhe nga ajo psikologjike.Bariu që çdo natë dimri e kalon jashtë në fushë me bagëtinë, tregon se ende sot nuk e di saktë humbjen, megjithatë sipas tij janë dhjetëra dele e dhi dhe mbi 80 qengja të marra nga uji i rrëmbyeshëm i lumit.Bariu:“ Kam nxjerrë nga uji ato që ishin të forta, ato që ishin të dobëta kanë mbetur të gjitha në ujë, kanë ngordhur. Aktualisht janë 400 dhenë dhe 200 dhi, veç shqerrave, këto si kemi numëruar. Nga përmbytjet humba 60 kokë dele. Ndërsa shqerrat si kam numëruar akoma, por mund të jenë 80-90”.Bariu shpjegon se nëse shteti nuk do të vijojë ta ndihmojë, bagëtitë me të cilat ai ndan çdo ditë të vitit, do ta kenë të vështirë ekzistencën në këtë situatë përmbytjesh.Bariu: “Ushqimin po e siguroj me ndihmën e shtetit. Jemi të kënaqur deri më sot.Tani më më pas se çfarë do të bëhet nuk e dimë. Se me këtë bazë ushqimore që kemi marrë deri tani nuk i nxjerrim dot. Dhe unë tufën e kam shumë të rëndë, janë gati 400 dele dhe 200 dhi që i kam lart në pyll. Kështu që po më ndihmoi shteti do ti nxjerr po nuk më ndihmoi jam në rrezik për ti nxjerrë këtë blegtori”.Në Pojan të komunës Dermenas, Vjosa përmbyti disa banesa dhe dhjetëra hektarë tokë bujqësore, që ndonëse uji është tërhequr, vazhdojnë të jenë nën ujë.