Ndihma për përmbytjet, Rama: Mos abuzohet, çdo familje të marrë atë që i takon
Kryeministri Edi Rama pasi siguroi mbështetjen e biznesit për të ndihmuar banorët e prekur nga përmbytjet, udhëtoi vet drejt Vlorës për të parë proçesin e shpërndarjes së ndihmave, i cili është kritikuar nga demokratët.“Është me rëndësi themelore që organizmi i përgatitur me kaq kujdes dhe në detaje gjatë gjithë këtyre ditëve po kthehet në një operacion të suksesshëm, që do të thotë që çdo familje në nevojë të marrë pjesën që i takon.Regjistri i përgatitur nga Prefektura, në bashkëpunim me komunat dhe shtabin e emergjencës të respektohet. Të mos ketë asnjë abuzim dhe asnjë shpërdorim të kohës, të mjeteve dhe të gjithë këtyre materialeve të grumbulluara, produkteve e me radhë.Me rëndësi të veçantë është që ushqimi i siguruar 100% për bagëtinë të shkojë në destinacion. Të mos mungojë asnjë nga këto ditë, sepse kjo është vërtetë e rëndësishme për të mos humbur më krerë.Nga ana tjetër, padyshim nuk diskutohet që është e dorës së parë nevoja morale për të përballuar me sukses operacionin, duke iu gjendur çdo familjeje dhe çdo individi që është prekur nga përmbytja, për të dhënë ndihmën e nevojshme në ushqime, në materiale të tjera dhe po ashtu, edhe në disa nga orenditë kryesore elektroshtëpiake, për të cilat, ne jemi përgatitur të japim atë që është humbur, pra, të bëjmë të gjithë zëvendësimet e nevojshme”.Teksa pa mallrat në magazinën e improvizuar për emergjencën, Rama tha se proçesi për rehabilitimin e zonave të prekura nga përmbytjet do të çohet deri në fund.“Ne do ta shtrijmë këtë fazë deri kur të gjitha nevojat bazë të jenë të përmbushura në kohë. Paralelisht, e përsëris edhe këtu, qeveria po bën të gjithë inventarin e dëmeve për t’u zhbërë në kohë lidhur me zëvendësimin e krerëve të humbur dhe lidhur me mbështetjen e atyre që kanë humbur prodhimin, apo një pjesë të rëndësishme të infrastrukturës së prodhimit dhe ku bëhet fjalë për shuma të konsiderueshme.”Shefi i Qeverisë ndaloi edhe në hidrovorin e Akernisë, ku pa situatën e fundit me reshjet dhe prurjet e ujit që u bënë dhe shkak për këtë emergjencë përmbytjesh.Kryeministri gjatë bisedës me banorët e fshatit Akern i siguroi se lehtësitë për zonat e përmbytura do të bëhen, sa i takon detyrimeve të energjisë elektrike.Duke i qenë i angazhuar me ndihmat dhe zonat e përmbytura, Kryeministri preferoi të mos i përgjigjet interesit të medias për arrestimin e Kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika.