Rezervuari i Maskurisë, Haxhinasto e Tahiri: E kemi nën kontroll

Situata në digën e rezervuarit të Maskurisë është në kontroll dhe grupet e punës do të vazhdojnë të monitorojnë në vazhdimësi gjendjen.Deklarata vjen nga Ministrat, Edmond Haxhinasto dhe Saimir Tahiri në inspektimin e dytë në këtë zonë .Haxhinasto: “ Situatën e kemi terësisht nën kontroll. Kjo ka ardhur pas angazhimit të të gjithë institucioneve, nëpërmjet angazhimit edhe në aspektin teknik për realizimin e hapjes së sitemit të shkarkimit të rezervuarit që ishte bllokuar si pasojë e disa zgjidhjeve dhe realizimit të projektit në mënyrë të gabuar”.Tahiri: “ Situata është nën kontroll dhe nuk duket që të kemi probleme të dukshme ose potenciale për sa i përket sigurisë në këtë vend. Gjithashtu përfitoj nga rasti t’ju bëj me dije që situata në të gjithë vendin, të paktën në zonat e përmbytura është e stabilizuar. Moti parashikohet të jetë me reshje por gjithsesi jo në përmasat e reshjeve të fundit të janarit që pastaj edhe u shkaktua edhe dalja e lumenjve nga shtrati dhe përmbytja e zonave që ju dini. Gjithsesi shtabet e emergjencës janë në gatishmëri, të gjitha forcat janë në gatishmëri”.Në ndihmë të grupeve të emergjencës prej disa ditësh ka ardhur edhe një grup i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i cili po mbikqyr sasinë e ujit që hyn në rezervuar dhe atij që del.Ky grup ka sjellë edhe një pompë të fuqishme për shkarkimin e ujit të tepërt.Pas disa ditësh përpjekje është arritur të zhbllokohet ujëlëshuesi i rezervuarit të Maskurisë, bllokimi i të cilit nuk mundësonte mbajtjen e nivelit të ujit në parametra normale.Specialistët e Ujësjellësit të Kavajës janë duke bërë matje të vazhdueshme për të mos e ulur nivelin e ujit në atë masë që të rrezikohet furnizimi i popullatës me ujë gjate sezonit turistik.