Takimi Thaçi-Daçiç në Bruksel, asnjë marrëveshje, nesër do vijojë sërish

Në Bruksel ka përfunduar takimi i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiç, për të vazhduar sërish nesër.Takimi, i cili ka qenë i pesti me radhë, është zhvilluar nën praninë e shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton për rreth 2 orë me radhë.Mediat kosovare raportojnë se nuk bëhet fjalë për ndonjë marrëveshje të arritur, ndërkaq, Bashkimi Evropian nuk ka dalë ende me deklaratë zyrtare.Bisedimet në nivel të kryeministrave midis Kosovës dhe Serbisë kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.Në këtë raund ndërkaq është thënë se do të flitet për çështjen e veriut të Kosovës dhe strukturat paralele të Serbisë atje, ku veriu është konsideruar si tema më e nxehtë e bisedimeve.Më herët ata zhvilluan takime të ndara me zonjën Ashton, për të vazhduar takimin e përbashkët. Sot dhe nesër ata do të debatojnë çështjen e strukturave të mbështetura nga Beogradi në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës.Kryeministri Thaçi tha më herët gjatë ditës se në takimin me kryeministrin serb do të diskutohen hapat e mëtutjeshëm “me shpresë dhe optimizëm për arritjen e marrëveshjeve të reja, për t’i zbatuar dhe natyrisht për të normalizuar në tërësi marrëdhëniet Kosovë-Serbi, që do të nënkuptonte edhe evropianizimin e gjithë rajonit tonë”.Ai tha se qëllim i këtyre bisedimeve nuk është që Kosova dhe Serbia të mundin njëra-tjetrën, por të lëvizin përpara, drejt integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.Kryeministri Thaçi tha para se te shkonte në Bruksel se “në këto bisedime të paraqesë qëndrimin e Prishtinës për shtrirjen e autoritetit të shtetit të Kosovës në veri dhe shpërbërjen e strukturave të paligjshme të Serbisë në zonë”.Beogradi ndërkaq ka ritheksuar synimin për një shkallë të autonomisë për komunat me shumicë serbe në veri. Kryeministri serb Ivica Dacic ka shprehur gatishmërinë që të diskutohet çështja e strukturave paralele por jo shuarja e tyre, ndërsa presidenti serb Tomislav Nikoliç ka deklaruar se strukturat aktuale mund të shuhen për të krijuar hapësirë që të ngrihen strukturat e reja që do të drejtoheshin nga serbet.Përfaqësuesit e serbëve në veri thonë ndërkaq se nuk do të lejojnë shuarjen e institucioneve serbe në zonë dhe kanë përsëritur kërkesën për anulimin marrëveshjeve të arritura në bisedimet Kosovës Serbi, përderisa të mos flitet për çështjen e statusit të Kosovës, që sipas tyre mbetet ende i pazgjidhur.