Thaçi flet për vizat me Fulen: Mos krijoni vrimë të zezë në Ballkan
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në kuadër të vizitës zyrtare në Bruksel është takuar me Komisionerin e Bashkimit Evropian për zgjerim, Stefan Fyle.Kryeministri Thaçi theksoi se lëvizja e lirë pa viza është çështje e një dimensioni njerëzor dhe nuk duhet lejuar krijimin e një vrime të zezë në Ballkan, ndërsa Fyle ka dhënë përkrahjen Kosovës në procesin e integrimit evropian.“Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë përkushtimin e saj në funksion të përmbushjes të të gjitha kritereve dhe standardeve evropiane të integrimit” theksoi kryeministri Thaçi.“Lëvizja e lirë pa viza është çështje e një dimensioni njerëzor dhe nuk duhet lejuar krijimin e një vrime të zezë në Ballkan. Kosovarët meritojnë shansin e tyre dhe duhet të gëzojnë një trajtim të drejtë dhe të ngjashëm me fqinjët e tyre, dhe nuk duhet paguar për dështimet e tjerëve” ka thënë Thaçi.Nga ana e tij, Komisioneri i BE-së për zgjerim, Stefan Fyle e ka përgëzuar kryeministrin Thaçi për qasjen e tij të drejtë evropiane në raport me bashkëpunimin rajonal. Fyle theksoi se institucionet e Kosovës do ta kenë gjithë përkrahjen e duhur në procesin e integrimit evropian të Kosovës.