Lunacek: Sfida më e madhe e Kosovës, Rusia!
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek ka theksuar se ndër sfidat më të mëdha e shtetit më të ri në Evropë është që Rusia të dorëzohet dhe ta pranoj ekzistencën e shtetit të Kosovës.Në një intervistë për mediat kosovare, Lunacek duke folur për gjendjen në vend, tha se Kosova ka bërë përparime nga pesë vjet më parë.“Kosovën e vizitoj që katër vite dhe shoh sukses në shumë nivele. Progres brenda vendit, me institucionet e këtushme. Sepse në fillim Kosova duke qenë shteti më i ri në Evropë është dashur të ndërtoj institucione, duhej të bëhej shtet. Kjo nuk ka qenë në vitin 2008. Kanë qenë disa institucione por jo të tërat dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me njohjet por me mënyrën se si funksionon, se si qytetarët besojnë në shtetin e tyre dhe sillen në mënyrë dinjitoze. Për këtë them se ka pasur sukses. Duke e pasur parasysh që më shumë se gjysma e shteteve të Kombeve të Bashkuara që e kanë njohur Kosovën, do të preferoja që kjo të ndodhte që para pesë vjetësh, por disa gjëra në botë nuk funksionojnë ashtu sic duam ne. Nga ana tjetër, dialogu me Serbinë do të rezultojë me progres. Sepse vendet siç është Sllovakia që nuk e kanë njohur Kosovën, në rezolutë parlamentare e kanë përmendur faktin se nëse Kosova dhe Serbia pajtohen, atëherë edhe ne pajtohemi. Besoj që ky pesëvjetor do ta sjell në Kosovë idenë që në këtë vend ka pasur progres dhe duhet ecur para”, tha Lunacek.Duke folur për sfidat, eurodeputetja tha se ndër sfidat më të mëdha është të binden edhe pjesa e mbetur e Kombeve të Bashkuara që ta njohin Kosovën, përfshirë edhe pesë vendet e BE-së.“Të binden edhe pjesa e mbetur e Kombeve të Bashkuara që ta njohin Kosovën, përfshirë edhe pesë vendet e BE-së mosnjohëse të Kosovës. Rusia të dorëzohet dhe të thotë OK-ej, por nëse e bënë Serbia atëherë lehtë i bëhet puna me Rusinë. Por ka edhe shumë sfida brenda Kosovës. Fakti që ekonomia nuk funksionin, shkalla e lartë e papunësisë së të rinjve, ka edhe shumë punë për tu bërë në mënyrë që produktiviteti të rritet. Që të dalin në shesh pasuritë minerare që i keni në mënyrë që t’i shisni me çmim të mirë. Sfidë mbetet edhe liria e lëvizjes. Për këtë kam punuar shumë në mënyrë që të ketë progres në procesin e liberalizimit të vizave. Besoj që brenda pesë vjetëve një gjë e tillë do të ndodhë dhe kjo do krijoj mundësi që kosovarët të udhëtojnë, që të shohin pjesë të ndryshme të Evropës, t’i shohin anët e mira dhe të këqija, të kthehen dhe të investojnë më shumë në vendin e tyre. Ajo çfarë duhet të ndodh, janë edhe zgjedhjet të cilat duhet të jenë të lira dhe ferr dhe pa ndonjë parregullsi. Ju siguroj që unë do të jem këtu për t’i vëzhguar”, u shpreh Lunacek.