5 vjet pavarësi, Kosova e varfër, me të ardhura të vogla e papunësi 45%

Kosova dje festoi 5 vjetorin e pavarësisë , por gjendja sociale në vend vazhdon të jetë e rëndë. Kosova vazhdon t'i ketë të ardhurat për banorë më të vogla në rajon e që janë vetëm 2 mijë e 600 euro në vit, ndërsa çmimet e produkteve elementare i ka pothuajse të ngjashme apo dhe më të larta se vendet, të cilat kanë të ardhurat për kokë banori shumëfish më të larta se sa Kosova e varfër. Varfëria dhe papunësia, vazhdojnë të jenë në një nivel të lartë, diku rreth 45 për qind.Me çmime të larta, e me të ardhura tejet të vogla, Kosova rrezikohet nga trazirat e mundshme sociale. Këtë e thonë dhe ekspertët e kësaj fushe, sipas të cilëve gjendja sociale gjatë këtyre 5 viteve, veç sa është përkeqësuar dhe se shporta e qytetarit, çdo ditë e më shumë po varfërohet.Lumir Abdixhiku, drejtor i Institutit Riinvest thotë se Kosova ka pothuajse gjysmën e qytetarëve të papunë dhe se një pjesë tjetër, kryesisht të varur nga të ardhurat nga diaspora. Sipas tij, ritmi i krijimeve të vendeve të reja të punës, është po aq i ngadaltë dhe në momente që ka kaq të papunë, ka mundësi që të shfaqen pakënaqësi dhe se gjendja për qytetarët, po bëhet e papërballueshme.“Në një situatë të tillë, ku të ardhurat mbesin konstante dhe pasuria jote zhvlerësohet për 30 për qind, atëherë është me të vërtetë një sfidë e papërballueshme për mbijetesë dhe stabilitet social. Unë kam thënë dhe shpesh e them se po të mos të kishte qenë diaspora dhe dërgesat e diasporës ne shumë shpesh kishim pasur pakënaqësi sociale në Kosovë”, theksoi ai.Në rast se një situatë e tillë vazhdon dhe se Kosova vazhdon të përballet me po këtë gjendje të rëndë sociale dhe pa përmirësime, Abdixhiku thotë se ka mundësi që populli të shpërthejë duke e e krahasuar këtë situatë me një bombë të kurdisur. “Në rast se nuk ka përmirësime në ambientin biznesor, nuk ka përmirësime në krijimin e numrit të vendeve të reja të punës. Nëse nuk ka përmirësime në prodhimin brenda Kosovës, nëse vazhdohet me trendë kësisoj, normalisht që shpërthimet do të jenë me potencial të lartë. Do të kemi njëfarë situate të një bombe të kurdisur, e cila mund të shpërthejë herë do kurdo”, tha Abdixhiku.Ndërsa Haxhi Arifi, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), thotë se gjendja sociale në vend, për pesë vite, vetëm sa është përkeqësuar. Sipas tij, me problemet e përditshme, me ngritje të çmimeve të artikujve elementar, shporta e qytetarit po bëhet gjithnjë e më e varfër dhe çmimet po bëhen të papërballueshme.“Është mbushur kupa bukur shumë sepse çdo ditë po kemi probleme me varfëri, me ngritjen e çmimeve tani të rrymës dhe artikujve tjerë më elementar si buka, milli vaji sheqeri. Këtu nuk ka luks për punëtorinë, por vetëm ekzistencë. Dhe atë ekzistencë këta duhet me mendu që t’i plotësojnë kërkesat tona dhe të realizohen për me mujt me mbajt disbalancin në mes Qeverisë, punëmarrësit dhe punëdhënësit, për ta ruajtur qetësinë sociale”, thekson Arifi.Ndërsa profesor Musa Limani thotë se në Kosovë për këto pesë vite, është rritur varfëria dhe problemet sociale dhe se popullit i ka ardhur thika në fyt. “Nëse një ditë shpërthen problemi social, nuk ka forcë që e ndal. Më parë kemi pasur çështjen e pavarësisë dhe këto kanë qenë elementet apo faktor kryesor, e cila ka amortizuar paraqitjen e problemeve sociale. Mirëpo duke u bazuar në gjendjen e varfërisë dhe problemeve sociale mund të them se popullatës i ka ardhur thika në fyt, i ka prek thika në asht, populli kërkon bukë, nuk kërkon asfalt”, pohoi Limani.Por Behxht Gaxhiqi, zëdhënës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), thotë se numri i familjeve me asistencë sociale, ka rënë nga viti në vit dhe se gjendja sociale nuk është aq e rëndë sa ka qenë vite me parë. MPMS, sipas tij, ka hartuar kornizën ligjore, që i përshtatet të gjitha kategorive dhe skemës sociale, ku i është ofruar përkujdesje dhe mbështetje të veçantë, të gjitha kategorive të asistencës sociale.“Realisht nuk mund ta quajmë që gjendja sociale mbetet e rëndë sepse realisht nëse i referohemi vitit 2007 i kemi 37 mijë familje dhe në vitin 2012 janë 31 mijë familje. Gjendja sociale gjatë këtyre viteve kemi pasur edhe rritje të skemës së asistencës sociale. Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që kategoritë e familjeve të dëshmorëve dhe kategorisë e luftës me 50 për qind rritje dhe kjo ka rezultuar me një masë jashtëzakonisht shumë pozitive, për të iu përmirësuar gjendja gjithë atyre familjeve qoftë në një formë apo tjetër të jenë përfitues të skemës sociale”, tha ai.Ndryshe, personat me asistencë sociale në vend vazhdojnë t’i marrin nga 40 deri në 80 euro në muaj asistencë sociale, varësisht prej numrit të anëtarëve të familjes. Ndërsa në bazë të statistikave të MPMS-së, në vitin 2007 shfrytëzues të kategorisë sociale kanë qenë 37 mijë e 170 familje në tërë territorin e Kosovës. Në vitin 2008 kjo kategori e shfrytëzuesve ka pasur rënie, në 34 mijë e 307 familje.Në vitin 2009 kanë qenë 35 mijë e 654 familje me asistencë sociale. 1ë vitin 2010, numri i shfrytëzuesve të familjeve me asistencë sociale ka shkuar në kuotën e 35 mijë e 791 familje. Ndërsa në vitin 2011 kemi gjithsej 34 mijë e 867 familje. Kurse në vitin 2012 ka një rënie më të madhe, ku gjithsej kanë qenë 31 mijë e 111 familje, shfrytëzues të kategorisë së asistencës sociale.