Protesta dhe dyshime kundër marrëveshjes së tregtisë së lirë BE-SHBA
Më shumë se 100 protestues u mblodhën të mërkurën para zyrave të Komisionit Europian në Bruksel, me një kalë troje gjigant, për të kundërshtar marrëveshjen e tregtisë së lirë të nënshkruar mes Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.Partneriteti Transatlantik për Tregti dhe Investime pritet të jetë marrëveshja më e madhe tregtare në botë, por në kontinentin e vjetër frika është e madhe se kjo do të ulë standartet për ushqimet dhe mbrojtjen ndaj ambientit.Pjestarët e organizatave "Miqtë e Tokës Europiane" dhe "Drejtësi Globale", të veshur me kostume për të portretizuar lobistët e mëdhenj amerikanë, thanë se kali i Trojës, një statujë rreth 8 metra e lartë që kishin sjellë para zyrave të Komisionit Europian, simbolizonte pikërisht synimet e fshehta të marrëveshjes."Besojmë se kjo marrëveshje do të jetë një kalë troje… Komisioni dëshiron që ne të besojmë se kjo do të sjellë shumë përfitime për Europën, por në të vërtetë mendojmë se do të na hapë shumë probleme. Do të ulë standardet e ushqimeve dhe ruajtjes së ambjentit", tha Pol de Klerk, pjestar i organizatës "Miqtë e Tokës Europiane".Shqetësimi më i madh i tyre është se koorporatat e ushqimeve amerikane janë më të prirura për të përdorur ushqime gjenetikisht të modifikuara si dhe prej marrëveshjes, e cila po negociohet mes palëve që prej vitit 2013, ligjet e Brukselit do të anashkalojnë ligjet kombëtare që janë shumë strikte për sa i përket kësaj çështjeje.Protesta vjen në një javë të ngarkuar për Brukselin. Vetëm një ditë më parë, komisionerja e autoritetit të konkurrencës, Margret Vestager, bëri të ditur se kanë nisur hetimet për sistemin belg të taksave, që lejon koorporatat, kryesisht amerikane, por edhe nga vendet e tjera të Europës, që të ulin detyrimet tatimore duke transferuar selinë qendrore në Bruksel.Përveç Belgjikës, Komisioni po heton edhe Luksemburgun, Irlandën dhe Holandën, ku disa kompani, si Amazon, Apple dhe Fiat kanë regjistruar selitë qendrore për të përfituar nga taksa më e ulët koorporative.