Stuhia e mbrëmjes shkaktoi rrëshqitje dherash, rrëzoi pemë. Disa zona pa energji

Stuhia me erë të fuqishme dhe reshje la pa energji elektrike zona te caktuara të vendit. Sakaq mungesa me orë të tëra e energjisë në hidrovoret e Durrësit e Fierit rrezikoi përmbytjen e zonave periferike në qytetin bregdetar dhe probleme me Gjanicën në qytetin myzeqar.Në Durrës, ka pasur pemë të rrëzuara, rrugë të përmbytura në zonën e plazhit, tjegulla çatish të thyera, si edhe vështirësi në lundrimin e anijeve dhe trageteveNë qarkun e Kukësit, erërat e forta që kanë shoqëruar rajonin kanë sjellë probleme me furnizimin me energji elektrike në disa lagje në qytetin e Kukësit,Krumës dhe Bajram Currit. Ndërkohë, pa energji janë komunat Bicaj, Tërthore, Shtiqën, Zapod, Shishtavec, Topojan, Grykë-Çajë, Kalis,Bushtricë e Malzi.Në rrethin e Hasit mungon energjia prej mbrëmjes së të premtes në fshatrat Zarisht, Nikoliç,Vlahën,Dobrunë e Çarr. Në rrethin e Tropojës pa energji janë komunat Lekbibaj e Bujan.Sakaq, nga shkarkimet elektrike të vetëtimave në lagjen 4 dhe 5 të qytetit të Kukësit janë djegur pajisje elektro-shtëpiake.Në Dibër, nga stuhia janë shembur shtyllat e tensionit të lartë, janë këputur tela dhe ka pasur rrëshqitje dherash. Po bien reshje intensive borë në Sllovë, Selisht, Kalaja e Dodës, Lurë. Vijojnë reshjet e borës edhe në komunat Macukull të Matit në Xibër të Bulqizës, në Martanesh, Trebishtë, dhe Ostren. Këto zona raportohen të kenë dhe shkëputje të herëpashershme të energjisë elektrike.

Ne Gjirokastër, gazetarja e Ora News Brikena Metaj informon se si pasojë e shirave të shumtë  në  rrugë ka pasur prurje gurësh dhe dhera. Ndërkaq problematike mbeten rruga nacionale në varrezat publike dhe aksi rrugor i Viroit i cili është i bllokuar.

/Oranews.tv/