Xhuvani i shpëton burgimit të përjetshëm, "feston" me çamçakëz

Kostandin Xhuvani i shpëton burgimit të përjetshëm. 

Gjykata e Tiranës ka pranuar sot kërkesën e të akuzuarit për gjykim të shkurtuar ndaj tij. 

Sipas gjykatës çështja do të zgjidhet me akte të plota. I pyetur nga gjyqtari, Xhuvani tha se nuk ka asgjë për të thënë teksa pjesën më të madhe të seancës e kaloi duke përtypur çamçakëz, çka tërhoqi dhe vëmendjen e gjyqtarit që më pasi i kërkoi ta hedhë. 

Xhuvani është nën akuzë për vrasjen e katërfishtë të ndodhur më 4 nëntor të vitit 2014 në lokalin “Ategrand” në rrugën e Elbasanit, ku mes viktimave ishte dhe shoku i tij Arbër Demiraj. 

Viktimat e tjera ishin Ena Xhaji, Edison Jaho dhe një shtetas italian Gianpaolo Azzolo. 

Vetë Xhuvani në seancën e 2-të gjyqësore pranoi fajsinë duke kërkuar gjykim të shkurtuar, ndërsa prokuroria kërkoi rrëzimin e kësaj kërkese me argumentin se hetimet për ngjarjen janë ende të pa përfunduara.