Komuniteti i Energjisë rekomandon që ERE të funksionojë pa ndikime

Enti Rregullator i Energjisë duhet të funksionoj në pavarësi të plotë pasi vetëm në këtë mënyrë reformat në sektorin energjitik do të japin efekt.Sekretari i Komunitetit të Energjisë, Janec Kopac, deklaroi se reformat në sektorin energjitik në Shqipëri janë shumë të rëndësishme. Ndërkohë Ministri i Energjisë paralajmëroi se nuk do të falet asnjë person që nuk paguan energjinë.Tiranë- Komuniteti i Energjisë bën thirrje që funksionimi i Entit Rregullator të Energjisë Elektrike të jetë i pavaruar.Janec Kopac e ka dhënë këtë këshillë gjatë mbledhjes së një tryeze të përbashkët për sektorin e energjisë.“Pavarësia e Entit Rregullator të Energjisë duhet të garantohet si një institucion që mbron në radhë të parë interesat e konsumatorëve dhe perspektivës së përmbushjes të politikave energjetike. Aktiviteti ekonomik i operatorëve duhet të zhvillohet në kushtet e një konkurence të lirë, për të përfituar gjithnjë e më shumë nga kostot e ulëta për importin e energjisë. Thellimi i këtyre kostove është një barrë që në fund e mbajnë konsumatorët”.Ndërkohë Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, u shpreh se tashmë synim është ndryshimi i modelit të tregut në mënyrë që të arrijë të mbahet me të ardhurat e veta si dhe paralajmëroi se nuk do të falet asnjë debitor.“Dua ta them që ne do të vazhdojmë edhe politikën e ligjzbatimit në sektorin energjetik. Ka mbaruar ajo periudha e faljeve, apo të tregtimit politik. Sa herë afroheshin zgjedhje bëheshin thirrje për mospagesë energjie dhe të tjera si këto, të cilat e çuan sistemin aty ku e çuan. Mendojmë se vetëm një disiplinë financiare është shpresa më e mirë që çdo reformë do të implementohet me sukses në Shqipëri”.