Koalicioni kundër IS mblidhet sot në Londër

Ministrat e jashtëm të vendeve që e përbëjnë koalicionin kundër militantëve të Shtetit Islamik, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara do të mblidhen sot në Londër.Sekretari Amerikan i Shtetit,John Kerry dhe Sekretari i Jashtëm britanik, Philip Hammond, do të kryesojnë takimin, i pari pas sulmeve të Parisit që shkaktuan vdekjen e 17 personave."Terroristët duan që të na përzënë, por në të vërtetë veprimet e tyre kanë pasur efekt të kundërt, ata janë duke na bërë së bashku", ka thënë Kerry në Uashington, pak para nisjes për në Londër.Një zyrtar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ka njoftuar se luftëtarët e huaj do të jenë në fokus të takimit, ndërsa do të formohet një ekip i ekspertëve që ka për qëllimin shkëmbimin e informacioneve të militantëve që udhëtojnë nga një vend në tjetrin.Agjencia Evropiane Europol vlerëson se deri në 5 mijë qytetarë nga BE-ja kanë shkuar për t'iu bashkuar militantëve në Siri dhe Irak. Po në qendër të diksutimeve të 21 përfaqësuesve të shteteve të koalicionit do të jetë edhe ndalimi i formave të financimit të Shtetit Islamik, rritja e ndihmës ushtarake për ata që po luftojnë në terren militantët dhe shtimi i ndihmës humanitare.Sulmet e fundit në Francë kanë shtuar presionin mbi qeveritë për të shënuar rezultate të prekshme ndaj Shtetit Islamik. Ndërkohë Forcat kurde kanë nisur një ofensivë të madhe ndaj militantëve islamikë në veri të Irakut.Raportet bëjnë me dije se luftëtarët Peshmerga kanë avancuar në pesë drejtime, ku edhe e kanë marrë kontrollin në një pozicion komandues në Kiske që gjendet 40 kilometra në perëndim të Mosulit.