Franca, investime miliona euroshe për sigurinë
Franca do të shpenzojë disa qindra miliona euro shtesë për sigurinë e vendit. Lajmin e dha kryeministri, Manuel Vals, i cili konfirmoi se masat do të merren në mënyrë që të shmangen sulme të ngjashme me atë të dy javëve më parë në tokën franceze, ku në tri ditë humbën jetën 17 vetë.Vals tha në konferencë për shtyp se masat që do të ndërmerren ishin diskutuar dhe aprovuar edhe nga kabineti i Presidentit François Hollande."Në total do të investohen 425 milionë euro brenda tri viteve të ardhshme, të gjitha për planin e përforcimit të masave. Asnjëherë nuk duhet nënvlerësuar pesha dhe vështirësitë e detyrave të shërbimeve të sigurisë, të cilët dua t'i falenderoj përsëri, pasi duhet të përballen me individë që përdorin strategji të sofistikuara për të projektuar dhe vënë në jetë planet e tyre. Prandaj është urgjente që të përforcojmë burimet njerëzore dhe teknike të shërbimeve të sigurisë".Pavarësisht shpenzimeve që do të kryhen, Vals u zotua se Franca do t'i qëndrojë përkushtimeve për buxhetin që ka marrë përballë Bashkimit Europian.Po duke qenë se rreziku për sulme të tjera vazhdon të jetë i lartë, Vals konfirmoi që shteti do të punësojë 2680 agjentë shtesë në polici, drejtësi dhe shërbimet e sigurisë brenda vitit 2018, të cilët do të merren specifikisht me mbikqyrjen e celulave të mundshme xhihadiste.Nga e gjithë shuma e parashikuar, 60 milionë euro pritet të shkojnë për pikasjen e celulave radikale dhe çmontimin e skemave që përdorin për rekrutimin e të rinjve.Në ndihmë të shtetit francez është parashikuar të punësohen edhe klerikë myslimanë që do të punojnë me të burgosurit myslimanë në burgjet e tejmbushura.