Lufta për Trepçën, përplasje mes Kosovës dhe Serbisë për privatizimin

Qeveria e Kosovës është tërhequr nga vendimi fillestar për të marrë kontroll të plotë mbi kompleksin e minierave të Trepçës, një vendim që do të rrezikonte bisedimet me Serbinë të mbështetura fuqimisht nga Bashkimi Europian.Vendimi dyshohet se është marrë edhe për shkak të presionit të Listës Srpska, pjestare e koalicionit qeveritar. Presion për ta shtyrë miratimin e ligjit mendohet të ketë pasur edhe nga ndërkombëtarët, të cilët në këtë moment janë më të interesuar në dialogun Kosovë-Serbi, sesa në fatet e minierës.Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Isa Mustafa, tha se duhen parë me kujdes detyrimet kreditore të ndërmarrjes, që mund të shkojnë deri në 1.4 miliardë euro, kryesisht ndaj investitorëve serbë, por edhe disa grekë. Por ai theksoi se qeveria po mendon vetëm ta shpëtojë kompleksin."Qëllimi themelor është që të pamundësojmë falimentimin e Trepçës, sepse nuk është në interes të punëtorëve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ne si qeveri do ta shqyrtojmë këtë ligj, ta sjellim në Kuvend dhe se nesër Kuvendi të trajtojë këtë ligj".Ligji për shtetëzimin e kompleksit mund të tensionojë edhe më tepër marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo e fundit pretedon 75% të aksioneve të kompleksit, ndërsa qeveria e Kosovës thotë që Serbia i ka humbur të gjitha të drejtat mbi të që kur nisi të kryente spastrim etnik në fund të viteve 90-të.Në pikun e saj, miniera ka punuar me kapacitet deri në 25 000 punëtorë, ndërsa sot numri ka zbritur në 2500 punëtorë, prej tyre 1500 shqiptarë dhe 1000 serbë. Miniera punon sot me kapacitet minimal vetëm për të shmangur mbylljen.Që prej shkëputjes së Kosovës nga Serbia në vitin 1999, Trepça dhe ndërmarrje të tjera publike të ish-Jugosllaisë u mbajtën nën kontroll të një enti të posaçëm të krijuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.Dikur, Trepça përbënte 70% të Produktit të Brendshëm Bruto të Kosovës dhe pavarësisht se vlerësohet se rimëkëmbja e saj mund të kërkojë deri në 650 milionë dollarë investime, ajo shihet si një burim i jashtëzakonshëm të ardhurash.