Kerry-Pakistanit: Lufto militantët që kërcënojnë Afganistanin e Indinë

Pakistani duhet të luftojë grupet militante që kërcënojnë interesat e Afganistanit, Indisë dhe Shteteve të Bashkuara.Ky është mesazhi që përcolli gjatë vizitës së tij në vend, sekretari amerikan i shtetit, Xhon Kerri.Pasi vizitioi Indinë, Kerri mbërriti në Islamabad për të diskutuar për sigurinë në rajon dhe sigurisht për të shprehur ngushëllimet e tij për viktimat e sulmit në shkollën ushtarake ku mbi 100 nxënës humbën jetën.Pakistani, një fuqi bërthamore, gjithmonë është parë me dyshim nga vendet Perëndimore se po bën lojë të dyfishtë, duke sulmuar disa grupime militante në një krah, e duke mbështetur të tjerë që i përdor për të kryer operacione në vendet fqinje rivale si India dhe Afganistani."Grupimet terroriste si talebanët e Pakistanit dhe Afganistanit, vazhdojnë të përbëjnë kërcënim jo vetëm për Pakistanin dhe fqinjët e saj, por edhe për Shtetet e Bashkuara dhe gjithë botën.Ushtria pakistaneze meriton vlerësim të madh për operacionet e kryera deri më tani, por mos mendoni se ka mbaruar me kaq. Detyra jonë është që të sigurohemi se këto ekstremistë të mos jenë në gjendje që të veprojnë në këtë vend apo diku tjetër", tha Kerri në konferencën për shtyp të mbajtur në Islamabad.Shumica e forcave ushtarake të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara e mbyllën misionin e tyre luftarak në Afganistan muajin e kaluar, duke rritur shqetësimet pasi terroristët kanë rritur agresivitetin e tyre.Kerri u siguroi vendasve se Shtetet e Bashkuara do të ndihmonin me 250 milionë dollarë qeverinë pakistaneze për të ndihmuar viktimat e këtyre sulmeve, shifër kjo që i shtohet milionave të tjerë të dhënë më parë në ndihmë të ushtrisë vendase.Ai gjithashtu u bëri thirrje Pakistanit dhe Indisë që të zgjidhnin problemet e tyre në lidhje me Kashmirin, krahinën në Himalaje që pretendohet nga të dy vendet dhe që ka qenë vazhdimisht burim konfliktesh.