Migrimi ilegal, Mustafa: Vendet fqinje të luftojnë grupet kriminale

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në takimin e Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar të luftojë grupet kriminale që po mundësojnë migrimin e paligjshëm, por në të njëjtën kohë pret që këtë ta bëjnë edhe vendet fqinje.Mustafa shtoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për ta bërë Kosovën vend të dashur për të jetuar dhe punuar, andaj siç tha ai po bëjnë çmos për të mundësuar qytetarëve punë sezonale në vende tjera dhe për të krijuar kushte për investitorë të jashtëm, në mënyrë që rinia të punësohet në Kosovë.“Ne jemi të vetëdijshëm që kjo nuk mund të bëhet shpejt. Liberalizimi i vizave do të ndihmonte Kosovën që njerëzit mos të shkojnë si në ikje por do të shkonin dhe do të ktheheshin”, ka thënë ai.Ndërkaq shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar tha se asnjë shtet i BE-së nuk do të pranojë azil për kosovarët.“Kërkesat për azil nuk do të pranohen nga asnjë shtet i BE-së. Shumica do të refuzohen dhe ata do të riatdhesohen në Kosovë dhe kur të kthehen do të bëhen më të varfër sepse do të dënohen”, ka thënë Zhbogar.Sipas tij, migrimi ilegal ka tri probleme atë ekonomik, të sigurisë dhe humanitar. Zhbogar tha se asnjë qytetar nuk mund ta lë atdheun e tij nëse e ka një vend të mirë të punës, prandaj sipas tij duhet të ketë zhvillim ekonomik.Shefi i zyrës së BE-së ka bërë apel jo vetëm te autoritetet e Kosovës por edhe të vendeve të BE-së që t’i ndalin grupet kriminale të cilat po përfitojnë nga dëshpërimi i kosovarëve.Vetë Presidentja Jahjaga, e cila thirri dhe këtë takim tha se trendët e migrimit ilegal janë shqetësuese dhe se kjo po ndodhë për shkak të mungesës së zhvillimit ekonomik.Presidentja iu referua edhe rastit të Ali Fetahut, i cili është ngrirë në kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë.“Cilado qofshin rrethanat e migrimit, një gjë mbetet e pakontestuar. Kjo nuk duhet të jetë Kosova e vitit 2015. Në rastet si kjo dëshmojmë nevojën që të bëjmë çdo gjë që është e mundshme për ta parandaluar këtë dukuri”, tha Jahjaga.Sipas saj, liberalizimi i vizave jo vetëm që do të mundësojë lëvizjen e lirë por edhe do të reformojë institucionet që janë ndërtuar qe një dekadë e gjysmë.Jahjaga tha se numri në rritje i azilkërkuesve kosovarë e vështirëson liberalizimin e vizave.