102 vjet Polici e Shtetit, Didi: Sëbashku për një mjedis të sigurtë

Në 13 janar 1913 qeveria shqiptare e asaj kohe do të krijonte forcat e policisë për të mbrojtur jetën, pronën, sigurinë e qytetarëve dhe rendin publik.Në këtë përvjetor të 102-të të themelimit të organizatës së policisë, kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi, shpalli moton e bluve “Sëbashku për një mjedis të sigurtë dhe jetë cilësore në komunitet”.“Ne do të vazhdojmë të zbatojmë filozofinë e policimit në komunitet, duke vendosur standarde për komunikimin, transparencën dhe llogaridhënien e punonjësve të policisë. Motoja e policisë së shtetit do të jetë “Sëbashku për një mjedis të sigurtë dhe jetë cilësore në komunitet”.Duke shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin për të gjithë punonjësit e policisë ndër vite që kanë kontribuar për zhvillimin e këtij institucioni të rëndësishëm të shtetit dhe shoqërisë si dhe për mbrojtjen e rendit publik dhe luftën kundër krimit, Didi dha garancinë e meritokracisë në radhët e bluve.“Ne do të punojmë me përkushtim për tu shërbyer qytetarëve, mbrojtur të drejtat e njeriut dhe dinjitetin njerëzor në bashkëpunim me komunitetin dhe njëherësh për tu siguruar punonjësve tanë trajtim të njëllojtë, kualifikim, mbojtje dhe karrierë të suksesshme”.Falenderimet nuk kanë munguar edhe për ata efektivë policie që sakrifikuan jetën për përmbushjen e e detyrës, sikundër vlerësoi rolin e partnerëve ndërkombëtar në zhvillimin dhe modernizimin e policisë së shtetit.“Mirënjohja dhe nderimi më i madh në këtë festë është për punonjësit e policisë që kanë dhënë jetën në përmbushjen e detyrës për të mbrojtur ligjin, sigurinë dhe jetën e qytetarëve shqiptarë si dhe për familjet e tyre.Gjithashtu dua tu shpreh një falenderim të veçantë partnerëve tanë ndërkombëtar, të cilët kanë kontribuar ndër vite për zhvillimin dhe modernizimin e policisë së shtetit”.Duke bërë një bilanc të rezultateve të policisë përgjatë vitit që lamë pas, Didi tha se treguesit pozitivë janë inkurajues për të rritur efektivitetin e veprimtarisë në të gjitha shërbimet e policisë në të ardhmen.“Policia e Shtetit sikundër institucionet e tjera është modeluar dhe funksionon sipas parimit demokratik. Ajo krahas masave për të përafruar standardet e policimit me ato europerëndimore dhe konsoliduar organizatën po punon me përkushtim për forcimin e zbatimit të ligjit, kontrollin ndaj krimit dhe mbrojtjen e rendit publik. Treguesit e punës në luftën ndaj paligjshmërisë dhe goditjes së krimit gjatë vitit që u mbyll janë pozitive dhe na inkurajojnë për të rritur efektivitetin e veprimtarisë në të gjitha shërbimet e policisë në të ardhmen”.