Kroacia bën historinë, zgjidhet femra e parë Presidente
Kolinda Grabar Kitaroviç është zyrtarisht Presidetja e parë femër e Kroacisë, duke fituar me rezultat të ngushtë balotazhin me Presidentin në detyrë, Ivo Josipoviç.Ajo arriti të merrte 50.5% të votave, ndërsa Josipoviç 49.5%. Vetë Presidenti në detyrë, pranoi humbjen dhe përgëzoi kundërshtaren për rezultatin.Fitorja e kandidates opozitare është shenjë që kroatët po kthehen nga e djathta, pasi koalicioni i qendrës së majtë nuk arriti t'i japë fund reçesionit ekonomik gjashtëvjeçar tashmë.Zgjedhjet presidenciale shiheshin edhe si një test i rëndësishëm për partitë kryesore vetëm një vit para se të mbahen ato parlamentare, në fund të këtij viti.Edhe në balotazh, gjatë gjithë numërimit të votave, ndryshimi mes dy kandidatëve mbeti rreth 1%. Në raundin e dytë morën pjesë 58.9% e votuesve, 12% më shumë se në radunin e parë të zhvilluar dy javë më parë.Grabar-Kitaroviç është pjesë krahut konservator të Bashkimit Demokrat Kroat, partisë që e çoi vendin drejt pavarësisë nga ish-Jugosllavia në vitin 1991. 46-vjeçarja ka mbajtur më parë postin e Ministres së Jashtme të vendit dhe gjithashtu ka qenë ndihmëse e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s.Në fjalimin e parë si fituese, Kitaroviç premtoi se do të punonte për ringritjen e vendit dhe për rolin e tij në rajon dhe Europë. Para turmës së ekzaltuar në Zagreb, ajo bëri gjithashtu thirrje për bashkim kombëtar për të përballur krizën ekonomike që ka kapluar vendin."Nuk do të lejoj askënd të më thotë që Kroacia nuk mund të lulëzojë dhe të pasurohet. Do të rifitojmë pozicionin që meritojmë në BE dhe NATO dhe do të ripërtërijmë partneritetet strategjike, si ai me Gjermaninë mike.Gjithashtu do të zgjidhim çështjet e hapura me fqinjët dhe u bëj thirrje që t'i bashkohen dialogut. Do të luftoj për të drejtat e minoriteteve në Kroaci, por do të kërkoj të njejtën gjë për minoritetin kroat në Serbi, Vojvodinë dhe vendet e tjera fqinje".57-vjeçari Josipoviç, jurist dhe kompozitor i muzikës klasike, mbante postin e Presidentit që prej vitit 2010. Para raundit të parë ai shihej si një figurë mjaft popullore në vend dhe pak e mendonin se nuk do të arrinte të rizgjidhej për një mandat të dytë.Por me sa duket fakti që ai u mbështet nga qeveria kroate, e cila u tregua e paaftë të nxjerrë vendin e kriza gjashtëvjeçare, duket se i ka kushtuar atij postin.Madje edhe kryeministri Zoran Milanoviç i kërkoi falje Presidentit për rolin negativ të qeverisë në zgjedhje, ndërsa edhe ai vetë mund të humbë postin në zgjedhjet parlamentare..Kroacia, anëtarja më e re e Bashkimit Europian, e anëtarësuar vetëm në korrik 2013, momentalisht ka një normë papunësie prej 20%.Në vend, Presidenti ka ndikim në politikën e jashtme dhe gjithashtu është shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, por vendimet kryesore i merr qeveria.